Autizmi mund të jetë shpesh i vështirë për t’u diagnostikuar. Por dy grupe të veçanta studiuesish kanë zhvilluar një teknikë të shpejtë dhe më të lirë me anë të së cilës mund të diagnostikohet një fëmijë autik.
Procedura ka të bëjë me vëzhgimin e kujdesshëm të lëvizjes së syve të fëmijës nëpërmjet një kamere dhe një programi kompjuterik. Kjo mënyrë e re mund të çojë në diagnostikim më të hershëm, rrjedhimisht edhe terapi që nisin më herët dhe janë më efektive.
Deri tani, fëmijët me çrregullime të spektrit autik janë identifikuar nëpërmjet raportimit të prindërve për sjelljen e tyre, vëzhgimet klinike dhe intervistat e drejtpërdrejta.
Studiuesit e “Cleveland Clinic” në Ohajo thonë se me këtë metodë kanë arritur të identifikojnë autizmin në 80 për qind të fëmijëve të testuar që i përkisnin moshës 3-8 vjeç.
“Studimi ynë provon se gjurmimi i shikimit ka një potencial të madh për identifikimin e fëmijëve të prekur nga çrregullimet ASD”, thonë ata.
Ndërkohë, studiuesit e Universitetit të Vermontit kanë zbuluar se fëmijët me çrregullime ASD harxhojnë më shumë kohë duke parë gojën e njerëzve që flasin, kur temat e bisedës bëhen më emocionale.
Ata e shpjegojnë këtë veprim me faktin se fëmijët autikë, të vendosur në situata ku bisedat janë emocionale, mund t’i bëjë ata të kërkojnë më shumë informacion, duke mos ia ndarë sytë gojës së folësit.
Testet në dy qendrat e veçanta të studimit janë kryer me grupe të vogla fëmijësh (jo më shumë se 50). /Telegrafi/