Telegrafi

Është duke u hetuar si vrasje vdekja misterioze e modeles Imane Fadil, e cila kishte dëshmuar në gjyqin ndaj Berlusconit

Imane Fadil (Foto: Twitter/Ansa English News)

Autoritetet italiane kanë njoftuar se po e trajtojnë si vrasje rastin e vdekjes së modeles marokene, Imane Fadil, e cila ishte pjesëmarrëse e rregullt e orgjive që organizoheshin nga ish-kryeministri Silvio Berlusconi.

Ajo vdiq në një spital të Milanos më 1 mars 33 vjeçare, një muaj pasi ishte shtruar nga një çrregullim i stomakut, për të cilin u kishte thënë miqve dhe avokatit të saj se ishte helmuar.

Modelja e ndjerë dëshmoi në vitin 2012 në gjyqin ndaj Berlusconit, i cili u akuzua se kishte paguar prostituta minorene. Fillimisht ish-kryeministri italian u dënua, por më pas u lirua nga akuzat në apel. Më vonë, ai u dënua për evazion fiskal dhe gjykata e detyroi të kryente punë në komunitet.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Silvio Berlusconi

Kryeprokurori i Milanos, Francesco Greco, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se në kartelën mjekësore të zonjës Imane Fadil kishte disa parregullsi.

“Deri tani mjekët nuk kanë identifikuar me qartësi asnjë lloj patologjie që të lidhet me vdekjen e saj”, ka thënë ai, transmeton KosovaPress.

E ndjera ishte duke shkruar një libër me kujtime në lidhje me eksperiencën dhe përfshirjen e saj në skandalin e njohur si “Bunga-bunga”, ndërkohë mësohet se prokurorët që po hetojnë vdekjen e saj kanë siguruar një kopje të dorëshkrimit.

Reputacioni i Berlusconit u njollos nga akuzat për organizimin e orgjive në vilën e tij. Në një rast të tetorit të vitit 2010, u zbulua se ai i kishte telefonuar policisë për të liruar 17-vjeçaren Karima El Mahroug, e njohur si Ruby, e cila gjithashtu mësohet se ishte pjesë e orgjive.