Site icon Telegrafi

Është biznes, jo patriotizëm

Enkel Demi

Është e vërtetë që kur vinte pasditja, diku nga ora 17:00, radiot e Shkodrës dhe jo vetëm, gjëmonin nga një program që titullohej “Pozdravi”.

Po kështu, në Tiranë kishte njerëz që njihnin këngët e Bijelo Dugme, madje një këngë shqip “Rroka mandolinën…” – me tekst të Agron Berishës – e kishin për zemër.

Është po kaq e vërtetë që në fundjavë djemtë dhe vajzat e Tiranës e shkonin natën e thellë me një program të Radio Prishtinës, i cili titullohej “Për të pagjumët e natës”.

Është e vërtetë që kur niste diku në drekë “Hit parada” tek Radio Rai, njerëzit linin çdo punë.

Dëgjonin grupin “Minatori” me të njëjtën endje që dëgjonin AC/DC, shpiknin lajme për “Gjurmët” dhe mbanin flokët si Zdravko Çoliq.

I eksitonte Lepa Brena, kurse kur përcollën nga “dyshi i Jugosllavit”, “Tangon e fundit në Paris”, mbetën të tronditur nuk dihet për sa kohë.

Kështu kanë jetuar disa breza të tërë në izolimin komunist, më pervers të Evropës. Janë djegur të ardhme, janë shuar ëndrra dhe natyrisht është përvëluar patriotizmi me një sistem vlerash që nga një anë diktohej prej Revolucionit Kulturor Kinez, nga ana tjetër prej cektësisë e të qënit me një hap me kohën, atje ku koha kishte ndalur dhe ishte bërë kënetë, gjiriz.

Kjo është arsyeja që kur Goran Bregoviq erdhi në Tiranë. Sali Berisha e lejoi nëpërmjet TV Klan, Edi Rama i dha çelësin e qytetit dhe salla e Pallatit u mbush ding. Qe plot me nostalgjikë të një breznie që tentoi të ndiqte të renë nëpërmjet radios dhe kabujve të antenave, të cilat fërkoheshin me letër varak që mbështillnin çokollatat.

Ishin të njëjtët nostalgjikë që donin të dilnin në foto me Zdravkon në Hotel Tirana dhe bënin autoironi në rrjete sociale. Ishin të njëjtët nostalgjikë që lanë zërin tek këndonin me Migjenin në të njëjtin Pallat këngët e Gjurmëve. Është breznia e varakut, e cila tash ka ecur para, ka kuptuar se cila është bota e vërtetë, ka bërë më shumë prapësi, por është bërë patriotike shumë më tepër se dikur.

Një pjesë të kësaj breznie e gjeje në Francë, tek ndiqnin Kombëtaren dhe mbanin bluzat e Sadikut, Canës, Ajetit, Hysës, Xhakës pa pyetur ku kishin lindur ata. Ishin këta të pacipë që shanin me libër shtëpie Shaqirin dhe Berhamin që qenë në anën e zviceranëve. Por, po të njëjtët që i duartrokitën në fund çunat e Zvicrës dhe pinë birra me tifozët helvetë.

Sepse, futbolli tek e fundit është emocion, dalldi, por jo patriotizëm. Është biznes. Të gjithë e kuptojmë që Shaqiri nuk do të luajë me Kosovën kurrë, sepse nuk ka ndër mend të lërë miliona euro sponsorë që ka në Zvicër. Si ai, as Taulanti e plot të tjerë dhe bëjnë shumë mirë.

Januzaj nuk kishte si të vishej kuq’ e zi, kur e peshonte gjithë Premier League. Baba e tij e dinte që ishte biznes. Sot, mund të shkojë me Kosovën, sepse nuk rrezikon gjë. Po kështu edhe Graniti mund të ikë po të dojë se nga Shqipëria në Kosovë, kurrgjë nuk ndërron. Gjyshja thoshte: “m…, njëra “k… tjetra”.

Por, plot të tjerë nuk do vijnë as në Shqipëri, as në Kosovë, sepse janë ndërmjetësit që i drejtojnë. Menaxherë i quan bota sportive. Kështu që Bunjaku nuk po bën patriotin, por thjesht sipërmarrësin, ashtu si dhe ne do të shkojmë në stadium në Shkodër të shohim, kur të luajë Kosova me bluza kuqezi, sepse jemi shqiptarë, ani se kemi një Kombëtare dhe një Përfaqësuese.

Edhe Andi Bushati ka qenë në plazh me peshqir të Crvena Zvezdës, sepse i përket të njëjtës brezni që më pas bëri prapësi të mëdha. Edhe unë dikur kisha simpati për Partizanin e Beogradit, se luante Fadil Vokrri, pa e ditur që tifozët e kësaj skuadre ishin shkuar legenave, por falë Zotit, Fadili iku shpejt në Francë dhe më pas në Turqi. Kështu ka qenë edhe atëherë, thjesht biznes.

Exit mobile version