Regjimi i Bashar al-Assad u shemb më shpejt nga sa e kishte parashikuar kushdo.
Natyra e papritur e rënies së tij bëri që shumë njerëz të përpiqeshin të gjenin përgjigjen se pse ndodhi.
E pavarësisht këmbënguljes së tij se “në asnjë moment nuk e ka konsideruar dorëheqjen”, rënia e Damaskut shënoi edhe humbjen e tij të plot të kontrollit dhe udhëheqjes.
Kur u bë e qartë se regjimi i tij kishte përfunduar, ai u largua nga Siria me sa duket pa paralajmëruar as të afërmit e tij më të afërt.
Destinacioni i parë i Assadit ka të ngjarë të ishte Dubai, ku tashmë jetojnë disa nga të afërmit e tij.
Por si një aleat kryesor perëndimor, Emiratet e Bashkuara Arabe do të kishin qenë nën presion të jashtëzakonshëm për t’i mohuar Assadit një strehë të sigurt ose, më keq, për ta dorëzuar atë.
Me Dubain jashtë tryezës, opsionet e Assadit u zvogëluan shpejt në një: Rusia.
Për vite me radhë Moska ishte mbrojtësi më i besueshëm i Assadit, duke mbështetur regjimin e tij edhe ushtarakisht.
Por edhe në Rusi, e ardhmja e Assadit mund të mos jetë e sigurt.
Ndërsa ai mund të banojë aktualisht në një shtëpi të izoluar, të mbrojtur nga kaosi që la pas, siguria e tij afatgjatë është e lidhur me presidentin rus, Vladimir Putin.
Dhe vetë pozicioni i Putinit është bërë gjithnjë e më i pasigurt.
Vendimi i Kremlinit për të mbështetur Assadin në luftën civile të Sirisë ishte më shumë për interesat strategjike të Rusisë.
Assad shërbeu si një përfaqësues i përshtatshëm nëpërmjet të cilit Moska mund të rivendoste ndikimin e saj në Lindjen e Mesme.
Por kohët kanë ndryshuar.
Agresioni i Putinit në Ukrainë e ka zhytur Rusinë në pasiguri ekonomike dhe politike, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Sanksionet perëndimorei kanë shkaktuar dëme dhe rezultati i luftës mbetet i pasigurt.
Nëse Putini bie, një udhëheqës i ri në Moskë mund të vendosë që Assad nuk është më i nevojshëm.
Historia ofron një pamje të qartë për këtë.
Pas rënies së regjimit të Slobodan Millosheviqit në Serbi, qeveria e re ra dakord ta ekstradonte atë në Hagë.
BE-ja e bëri bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës një parakusht për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në bllok.
Pra, Assadi mund të përballet me një fat të ngjashëm.
Një udhëheqje e re ruse mund të shikojë rivendosjen e marrëdhënieve me Perëndimin si një mënyrë për të siguruar lehtësimin e sanksioneve dhe rimëkëmbjen ekonomike.
Për Assadin, implikimet janë të qarta: mbrojtja e Rusisë është e kushtëzuar dhe e brishtë. Ai mund të ketë kontrabanduar miliarda dollarë nga Siria – mjaftueshëm për të mbajtur një jetë të rehatshme – por paratë nuk mund të garantojnë sigurinë e tij.
Një tjetër skenar i besueshëm është që një qeveri siriane pas Assadit të qeverisë me kujdes.
Kushdo që del për të udhëhequr një Siri të re do të përballet me sfida të mëdha, nga rindërtimi i infrastrukturës së saj të shkatërruar deri te nxitja e pajtimit midis komuniteteve thellësisht të ndara.
Por pragmatizmi mund të mbizotërojë.
E nëse një qeveri e re siriane do të garantonte qasje të vazhdueshme nga Rusia në bazat e saj në Siri, Moska mund të shohë pak arsye për të vazhduar mbrojtjen e ish-presidentit sirian.
Në fakt, dorëzimi i tij në gjyq mund të jetë një lëvizje praktike për të forcuar marrëdhëniet me një udhëheqje të re në Damask.
Natyrisht, çdo marrëveshje që përfshin Rusinë do të ishte thellësisht e diskutueshme mes sirianëve.
Roli i Moskës në luftën civile siriane u përcaktua nga bombardimet pa dallim të zonave civile, duke synuar spitalet, shkollat dhe tregjet.
Mijëra jetë të pafajshme humbën pasi Rusia i dha regjimit të Assadit fuqi dërrmuese dhe mbulim politik.
Për shumë sirianë, ideja që Rusia të arrijë një marrëveshje për të ruajtur terrenin e saj në vendin e tyre do të ishte e vështirë të gëlltitet.
Por perspektiva e vendosjes së Assadit para drejtësisë do të ishte një nxitje e fuqishme.
Për një vend që ka vuajtur nën sundimin brutal të familjes Assad për gjysmë shekulli, të shohësh Bashar al-Assad të dalë në gjyq mund të jetë hap historik. /Telegrafi/