Dokumentari më i ri i zhanrit krim “Lover, Stalker, Killer” tani për tani është një ndër filmat më të shikuar në Netflix.
Fillimisht u transmetua më 9 shkurt në Netflix dhe siç raportojnë mediat e huaja, tani gjendet në vendin e parë në listën e dokumentarëve më të shikuar, duke e bërë atë një ndër përmbajtjet më popullore në këtë platformë.
Është interesante se dokumentari aktualisht nga kritikët në platformën “Rotten Tomatoes” ka vlerësimin 100 për qind, ndërsa nga publiku është vlerësuar me 74 për qind si “i mirë për t’u parë”.
Historia flet për Dave Kroupën, i cili pas një divorci kërkon të gjejë dashurinë duke u bashkuar me aplikacionin e takimeve ‘Plenty of Fish’. Pas një kohe, Kroupa takon Shanna Golyar, por lidhja e tyre zgjat vetëm gjashtë muaj.
Ai më vonë takon Cari Farver, por kjo nuk i pëlqen Shanna Golyar, e cila bëhet xheloze dhe përpiqet në mënyra të ndryshme të shkatërrojë jetën e Dave, duke kërcënuar jo vetëm sigurinë e tij, por edhe të të dashurës së re dhe ish-gruas së tij.
Kjo histori 90-minutëshe sjell një intrigë të pabesueshme në një “trekëndësh dashuror”, dhe vetë dokumentari në fakt synon të tregojë rreziqet e njohjeve në internet. /Telegrafi/