Site icon Telegrafi

Escobar: SHBA-të mbështesin fuqishëm Kosovën, marrëveshjet e Brukselit duhet të zbatohen

Përfaqësuesi Special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e ka quajtur të suksesshme vizitën e tij në Kosovë së bashku me të emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Escboar tha se të dyja palët si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në kuadër të dialogut.

“Ne nuk jemi pjesë e dialogut nuk jemi pjesë e negociatave por siç tha z.Lajcak ne besojmë që të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen, megjithatë ne nuk kemi ardhur këtu me ndonjë propozim se çfarë duam të imponojmë, ne po u kërkojmë të dyja palëve të tregohen konstruktive dhe të na tregojnë vizionet e tyre sesi duhet të duket Asocioacioni dhe të vazhdojmë nga aty brenda kornizës së dialogut”, tha Escobar.

Escobar në një konferencë për media tha se kanë pasur takime të suksesshme me udhëheqësit kyç të Kosovës.

“Mendoj se në këtë rol është më rëndësi për mua që të bëjë vizitën e parë në Kosovë për të treguar unitet dhe përkushtimin tonë ndaj dialogut. Jemi takuar me të gjithë udhëheqësit kyç dhe mendoj se kemi pasur takime të mira.

Në fund të këtij procesi shpresojmë që të ketë rezultat dhe të ketë një zgjidhje që do të jetë e mirë si për Kosovën dhe Serbinë”, tha Escobar.

Ai më tej tha se administrata e SHBA-ve e mbështet fuqishëm pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Kjo administratë bashkë me administratat tjera të SHBA-ve mbështesin fuqishëm pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, tha Escobar. /Telegrafi/

Exit mobile version