Në kuadër të vizitave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri Xhelal Sveçla u prit nga Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Sipas njoftimit për media thuhet se gjatë këtij takimi ministri Sveçla e falënderoi Escobar për rolin e tij në procese të rëndësishme për vendin tonë dhe për ndihmën bujare që i ka dhënë shtetit të Kosovës ndër vite.
“Ai gjithashtu theksoi nevojën për të forcuar më tej aleancën me SHBA-në në fushat me interes të përbashkët. Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për arritjet konkrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme në fushën e luftimit të krimit, korrupsionit dhe terrorizmit dhe nevojën e bashkëpunimit të ngushtë për stabilitet afatgjatë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin për media.
Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua edhe për konfliktin ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë dhe qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj të drejtave të popullit ukrainas si dhe gatishmërinë e qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë një partner i besueshëm në sigurimin e paqes dhe stabilitetit.
Ndërsa në anën tjetër Escobar shprehu mirënjohjen e thellë për qëndrimin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe garantoi përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së SHBA-së për të mbështetur plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
“Ai po ashtu falënderoi Kosovën për mbështetjen e saj në strehimin e përkohshëm të qytetarëve afganë si dhe gatishmërinë e treguar nga Qeveria e Kosovës për pranimin e refugjatëve nga Ukraina. Në fund të takimit të dy u dakorduan që të intensifikojmë edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve drejt sundimit të ligjit në Kosovë, stabilitetit në rajon dhe unitetit për një përfundim paqësor të konfliktit në Ukrainë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/