I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë kësaj bisede virtuale me gazetarë, tha se në fund të këtij muaji përfundon mandatin e tij.
Ai shtoi se posti ishte 2-vjeçar, por kishte kërkuar edhe një vit shtesë me shpresën që do të bëhej përparim drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Sepse vërtetë kam besuar që deri në fund të këtij viti ne do të kishim më shumë përparim në Marrëveshjen e Ohrit, se do të kishim zbatim të plotë të disa kërkesave për Serbinë dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe që do të ishim në gjendje ta sillnim Kosovën më afër integrimit evropian përmes Partneritetit për Paqe dhe kandidaturës për BE.
Ditë më parë ishte raportuar se Escobar është shkarkuar nga posti i emisarit, por që Departamenti amerikan i Shtetit ka hedhur poshtë këto raportime.
Një zëdhënës i DASH-it tha për Telegrafin se se Escobar nuk është shkarkuar nga pozita e të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, por është bërë ndryshimi i pozicionit.
Sipas DASH-it, Escobar është pjesë e një rotacioni të rregullt dhe të planifikuar të Shërbimit të Jashtëm amerikan.
“Ato që kanë qarkulluar janë thjeshtë pretendime të rrejshme – zv/ndihmës Sekretari Escobar nuk është shkarkuar. Ai do të marrë një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik amerikan, e cila është pjesë e një lëvizjeje të planifikuar që prej kohësh,” tha zëdhënësi.
Gabriel Escobar, postin e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor e kishte marrë në fund të gushtit të vitit 2021./Telegrafi/