Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Forumin e Dubrovnikut ka folur për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe angazhimin e politikës amerikane në mbështetje të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe vendosjes së paqes në rajon.
Ai i ka ndarë shtetet e Ballkanit në dy grupe; ato që janë anëtarësuar në NATO dhe BE, për të cilat ka thënë se janë kontribuuese në stabilitetin rajonal dhe të tjerat që kanë ngecur në kapërcimin e sfidave të veta.
“Isha optimist se mundësia fantastike ekonomike do të na mundësojë të zgjidhim çështjet politike. Fatkeqësisht vetëm gjysma është e vërtetë. Rajoni është ndarë në dy shirita, njëri me shtetet në NATO që janë shumë më stabile, kontribuuese në stabilitetin rajonal dhe të vendosura në rrugën drejt integrimit evropian dhe shtetet tjera që po konsumojnë vëmendjen dhe burimet e të tjerëve në rajon teksa ngecin në kapërcimin e sfidave të veta”.
“Dallimet kyçe janë që shtetet që janë në NATO dhe që kanë pasur zhvillimet më të mëdha janë ato që kanë tejkaluar sfidat e rivaliteteve etnike. Dhe ata që vazhdojnë të kenë lidership që beson se populizmi, nacionalizmi e rivalitetet etnike janë rrugët përpara. Shpresoj të shohim të dyja, zgjerimin evropian, dialogun dhe angazhimin e fuqishëm amerikan që t’i ndihmojmë tri shtetet të lëvizin dhe të kthehen në rrugën që duhet të jenë, në përputhje me BE-në dhe fqinjët e tyre që po bëjnë shumë më mirë se ato”, ka thënë Escobar.
Ai tutje ka përmendur edhe aspektin e sigurisë, duke thënë se angazhimi i NATO-së është jetik për sigurinë në Ballkan dhe se gjithashtu është element themelor edhe i sigurisë brenda Kosovës.
“Angazhimi i NATO-s në Ballkan është jetik. Dhe vazhdon të jetë në element fundamental i sigurisë edhe brenda Kosovës”, ka thënë Escobar.
Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e NATO-s. Kosova, Serbia e Bosnja nuk janë pjesë e NATO-s./Telegrafi/