Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të martën se tërmetet e javës së kaluar ishin të “forcës së bombës atomike” dhe shifrat e reja tregojnë se numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri është mbi 40,000.
Erdogan tha gjithashtu se qindra mijëra ndërtesa nuk mund të përdoren në të gjithë Turqinë, duke shtuar se çdo vend do të përballet me të njëjtat pasoja si Turqia “në rast të një fatkeqësie të tillë”.
Por në qytetin e Erzinit, në mes të rajonit të Hatay të prekur rëndë, askush nuk gjeti vdekjen dhe asnjë ndërtesë nuk u dëmtua ndjeshëm, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Në qytetin me 42 mijë banorë – rreth 110 km larg nga Pazarciku, epiqendra e tërmetit – janë dëmtuar vetëm disa shtëpi familjare dhe disa minare.
“Nuk kemi rrënoja, viktima apo lëndime për shkak të tërmetit”, citohet të ketë thënë kryetari i këtij qyteti, Okkeş Elmasoglu, duke shprehur ngushëllimet e tij për të gjithë të prekurit nga tërmeti.
Euronews shkruan se shkoi në Erzin dhe pyeti kryebashkiakun Ökkeş Elmasoğlu se si mbijetuan ndërtesat pas tërmeteve më të fuqishme në historinë e vendit.
“Nuk kam lejuar në asnjë mënyrë ndërtimet pa leje. Pavarësisht kësaj, kishte nga ata që u përpoqën. Ndonëse në fillim nuk mund t’i ndiqnim pasi nuk kishim personel të mjaftueshëm, më vonë i raportuam në prokurori dhe morëm vendime për prishjen e ndërtesave”, ka thënë ai, shkruan hurriyetdailynews.
Kryebashkiaku theksoi gjithashtu se pjesa më e madhe e banesave në rreth janë katërkatëshe, ndërsa numri më i lartë i kateve është gjashtë.
Ndërsa duke theksuar domosdoshmërinë e respektimit të rreptë të rregullave në lidhje me zonimin, kryebashkiaku i Erzinit, Elmasoğlu tha: “Në tërësi, populli ynë ka nevojë për një revolucion mentaliteti së bashku me shtetin tonë”.
“Ne duhet të zbatojmë rregullat tona në mënyrë efektive dhe të rishqyrtojmë sistemet tona të inspektimit të ndërtesave. Por shteti ynë, ne të gjithë administratorët duhet të kemi vullnetin për këtë çështje dhe ta tregojmë me vendosmëri para qytetarëve. Përndryshe, kushdo që të vijë, humbja e jetëve tona do të vazhdojë”, citohet të ketë thënë më tej ai.
Dhe siç vë në pah më tej Euronews, ekspertët vlerësojnë përpjekjet e bashkisë por edhe tërheqin vëmendjen për strukturën gjeologjike të rajonit.
Shkencëtari i tërmeteve Prof. Dr. Naci Görür tha si më poshtë për mungesën e shkatërrimit në Erzin: “Nëse do të jetojmë përgjithmonë në këtë vend pavarësisht nga tërmetet – sepse tërmetet nuk do të mbarojnë – duhet të ndërtojmë vendbanime dhe qytete rezistente ndaj tërmeteve… Struktura gjeologjike, pozicioni tektonik dhe veçoritë gjeologjike të këtij rajoni ofrojnë mbrojtje të veçantë nga tërmetet”. /Telegrafi/