Klubi i Lirisë ka bërë të ditur se në sezonin pranveror për skuadrën prizrenase do të luajë Ervis Kaja, i cili është transferuar nga Besa e Kavajës.
“Te Liria, në pranverë, pritet të aktivizohet edhe Ervis Kaja, futbollist cilësor që luan në qendër të mbrojtjes dhe mesfushë”, thuhet në një njoftim të klubit në Facebook.
Bëhet e ditur se lojtari ndodhet që tri ditë në Durrës me pjesën tjetër të skuadrës.
“Kaja do të jetë pjesë e Lirisë në gjashtë muajt e ardhshëm, ndërsa nëse klubi dhe ai gjejnë akordin, bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tej”, citohet të ketë thënë drejtori Erxhan Dana.
Ervis Kaja është transferuar te ekipi prizrenas nga Besa e Kavajës.
Njëherësh bëhet e ditur se edhe sulmuesi i ri, Ibrahimaa Toungara, do të luajë te Liria në pjesën e dytë të sezonit.
“Ibrahimaa Toungara, sulmuesi nga Mali, i huazuar nga Flamurtari Vlorës, po ashtu do të paraqitet në petkun e Lirisë, në pranverë”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/