Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka bërë këtë të martë një kërkesë zyrtare në Gjykatën e Lartë për pezullimin e dënimit të tij me burg.
Salianji u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë në kuadër të çështjes së njohur si “Babale”.
Në kërkesën e tij, deputeti i PD kërkon që ekzekutimi i dënimit të pezullohet deri në përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata e Lartë, duke argumentuar se procesi ka qenë i parregullt dhe se vendimi i marrë është i diskutueshëm.
Në kërkesë theksohet se pezullimi i dënimit është i rëndësishëm për ruajtjen e mandatit të deputetit që është marrë nga populli.
“Në lidhje me cilësinë aktuale të deputetit, do i referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në zbatim të nenit 164 të K.Zgjedhor1, çka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit”, thuhet në kërkesë.
“Duke qenë se kërkuesi Ervin Salianji është zgjedhur deputet nga populli me mbi 10 mijë vota preferenciale në zgjedhjet e vitit 2021, zgjedhje këto të zhvilluara pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (18.12.2019), vendim ky i lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është tregues i shkakut të veçantë që paraqet ky rast në kuptim të nenit 476 pika 1 të K.Pr.Penale. Besimi me votë që i ka dhënë populli, pavarësisht një vendimmarrje gjykate të dhënë më parë, është tregues i veçantisë që ka rasti objekt shqyrtimi, për më tepër që sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”, sipas kërkesës.
Avokatët e Salianjit pretendojnë se dënimi është i motivuar politikisht dhe nuk bazohet në prova të mjaftueshme, duke theksuar se klienti i tyre nuk duhet të vuajë dënimin deri sa të përfundojë procedura gjyqësore në instancat më të larta.
Kërkesa e sotme vjen në një klimë të nxehtë politike, ku shumë zyrtarë të Partisë Demokratike kanë shprehur mbështetje për Salianjin, duke e cilësuar dënimin e tij si një goditje ndaj fjalës së lirë dhe një përpjekje për t’i mbyllur gjuhën opozitës.
Në lidhje me dënimin e Salianjit, opozita pritet të nis më 7 tetor nga Tirana mosbindjen civile, e cila sipas zyrtarëve të PD do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. /Telegrafi/