Site icon Telegrafi

Errësira e grupit Depeche Mode

Dave Gahan dhe Martin Gore: Të premten Depeche Mode lanson albumin e ri, “Memento Mori”

Nga: Alex Pappademas / New York Times
Përkthimi (me shkurtime) nga: Telegrafi.com

Martin Gore, i cili tani përfaqëson 50 përqindëshin e grupit Depeche Mode, punonte në një studio në një kodër pranë Santa Barbaras.

Në një mëngjes të së martës në janar, u ul pranë konsolës në qendër të dhomës së kontrollit, që ishte e gjerë dhe e rregullt dhe me plot diell të dimrit të Kalifornisë – një vend i pastër dhe i ndriçuar mirë për të bërë këngë për fuqinë, dëshirën, besimin dhe botën që rrotullohet gjithnjë e më larg boshtit të vet.

Gore kishte veshur rroba dhe çizme të zeza. Dukej si një anglez që i ka kaluar dekadat në Kaliforni – me ten të nxirë, dhëmbë të drejtë të bardhë. Kishte prerjen e flokëve që mund ta keni nëse ia kërkoni një berberi të ditur t’jua japë pamjen “Martin Gore”.

Dy vjet më parë, Gore i mbushi 60 vjet dhe “kjo më goditi”, tha ai me një nënqeshje morbide. “Nuk ndihem shumë si 60 vjeç, por duhet t’i pranoni faktet. Të duket sikur të paktën e ke një gisht në varr”.

Këtë të premte, Depeche Mode do të publikojë albumin e 15-të, kryesisht të incizuar në këtë studio, nga një ekip i epokës së pandemisë: Gore, vokalisti Dave Gahan, producenti James Ford, si dhe inxhinierja dhe bashkëproducentja Marta Salogni. Si gjithmonë, tingulli është shpirtëror.

Titulli është Memento Mori dhe tema mbizotëruese është vdekshmëria – e cila nuk është, në vetvete, një shmangie. Vdekja është kudo, shkroi Gore vite më parë, në një këngë të quajtur Fly on the Windscreen, tregimtari i së cilës vazhdon duke paralajmëruar me Eja këtu, më puth tash, sepse kurrë nuk i dihet.

Megjithatë, Memento Mori është i fiksuar me vdekjen edhe sipas standardeve të grupit, me tekste plot me fantazma, engjëj dhe lule funerali. Gore ka thënë se vdekshmëria ka qenë në mendjen e tij në kohën e koronavirusit që ishte duke e prerë një brez të popullsisë së botës – siç shkroi ai në 2020.

Por, Gore e di se albumi dhe titulli i tij janë të destinuar të lexohen nga tjetër aspekt. Në maj të vitit 2022, Andy Fletcher, i njohur si Fletch, vdiq në moshën 60-vjeçare, papritur dhe shpejt nga një diseksion i aortës. Fletcher ishte anëtar themelues i grupit; ai dhe Gore kanë qenë miq që në shkollën e mesme.

Si person në taste, roli i vërtetë i Fletchit në grupit ishte i mjegullt, por i domosdoshëm shpirtërisht – diku midis menaxherit, mbikëqyrësit të kontrollit të cilësisë dhe një super-adhurues.

“Pa Andyn, nuk do të ketë Depeche Mode”, tha spikeri i radios dhe adhuruesi i grupit Richard Blade, në një intervistë me video. “Nuk ishte ai që e kompozoi muzikën, por ishte ai që bashkoi”.

Gore për herë të fundit e ka parë personalisht Fletcherin në vitin 2019, në një martesë në Angli. Vdiq disa javë para se grupi kishte bërë oraret për incizimin e Memento Mori, koleksionin e parë të këngëve të grupit që ai nuk do ta dëgjojë kurrë.

Gore dhe Gahan thanë se që të dy u vunë në dyshim nëse munden apo duhet të vazhdojnë pa të. Por, Depeche Mode u ka mbijetuar ngjarjeve që mund ta shuanin grupin edhe më parë – duke filluar me largimin e anëtarit themelues Vince Clarke, i cili u largua nga grupi në 1981 pas publikimit të albumit të tij debutues Speak & Spell, në të cilin ishte kantautor kryesor.

Në vitet 1990, grupi e përballoi rritjen e muzikës granxh – që i bëri tabu sintetizatorët dhe makinat e baterive – si dhe largimin e anëtarit Alan Wilder dhe luftën e Gahanit me varësinë ndaj heroinës (teknikisht, Gahan është anëtari i parë i grupit që ka vdekur; në vitin 1996, pas një mbidoze, tha se iku për dy minuta përpara se mjekët ta ringjallin; ka qenë i pastër që atëherë).

I tallur që herët nga shtypi britanik i rokut, Depeche Mode e gjeti veten në Amerikë. Përparimi në ShBA erdhi me albumin e platinit Some Great Reward më 1984 dhe këngën People Are People, një reagim kundër paragjykimeve që u bë hit, si dhe një himn i klubeve gej.

Komuniteti homoseksual ishte vetëm një nga shumë nënkulturat ku Depeche Mode e ndërtoi një bazë adhuruesish. Në Bregun Perëndimor, grupi u përshtat mes “fëmijëve të bardhë që bënin sërf”, por gjithashtu u lidh me dëgjuesit latinë që te ta panë një reflektim të përvojës së tyre.

Gore pajtohet që grupi ishte gjuhë e përbashkët për ata që ndiheshin se nuk përkisnin diku. “Mendoj se njerëzimi përbëhet nga shumë të huaj dhe kjo është një nga arsyet që ne kemi arritur t’ia dalim mbanë”.

Deri më 1988, grupi ishte mjaft i famshëm për koncert të ngjeshur në Pasadena, i dokumentar nga regjisori D.A. Pennebaker me projektin Depeche Mode 101; pastaj vjen albumi i trefishtë i platinit Violator, dhe këngët hit si Personal Jesus dhe Enjoy the Silence të cilat pulsonin si tekno, por që sollën kitarat në plan të parë – për herë të parë.

Ai album ishte kulmi komercial i grupit në Amerikë; me përjashtim të një koleksioni të vitit 2005, asnjë album i ri i Depeche Mode nuk është certifikuar si i artë në ShBA – për 22 vjet. Por, për sa kohë që ka adoleshentë të rinj, do të ketë gjithmonë adhurues të rinj të prirë për t’iu përgjigjur teksteve si Gjithçka duket kaq e marrë sa më shtyn të heq dorë / Por, pse duhet të heq dorë kur gjithçka duket kaq e marrë?

Por, Gahan tha se edhe para vdekjes së papritur të Fletcherit, nuk ishte i sigurt se do të bënte album tjetër me Depeche Mode.

Gjatë koronavirusit, tha ai, i pëlqente të ishte në shtëpi, i rrethuar nga familja dhe nga miqtë. “Pse ta prishja të gjithë këtë, e të futem në një album i ri me Depeche Mode që do të më largojë nga kjo në tri vitet e ardhshme”?

Seancat e incizimit për albumin e mëparshëm të Depeche Mode, Spirit, ishin të diskutueshme. Që nga largimi i anëtarit Clarke, ka pasur një ndarje të qartë të punës në grup. Gore shkroi pothuajse të gjitha tekstet dhe Gahan i këndoi fjalët e tij. Por, në fillim të viteve 2000, Gahan nisi të bënte albume solo dhe të sillte këngët e veta edhe në sesionet e grupit.

Siç thotë Gahan, ai ka qenë gjithmonë anëtari që e ka shtyrë grupin jashtë zonës së rehatisë. Pasi shpërtheu Nirvana në fillim të viteve 1990, ishte Gahan ai që në albumin Songs of Faith and Devotion u shfaq me flokët e gjata dhe me tingull më të ashpër. Pa të, mund të mos kishit dëgjuar kurrë tupanët realë ose korin në ndonjë këngë të grupit. “Të gjitha ato u konsideruan kërcënime”, thotë Gahan.

Por, kur Gahan shtynte para, ishte Fletcher ai që sulmonte. “Gjithmonë ishte për Martinin”, thotë Gahan. “Nëse do të kishte votim, do të humbisja”.

Në seancat e albumit Spirit më 2016, ato tensione krijuese arritën atë që Gahan e quajti “pikë vlimi”.

“Martin nuk ishte i etur për disa nga këngët e tij”, thotë producenti Ford, “dhe Dave përpiqej shumë që ato të ishin në album. Ishte shumë, shumë e vështirë”.

Projekti ishte në rrezik. Zgjidhja ishte të dëbohen të gjithë, ndërsa veç Gahan dhe Gore të ishin në studio. “Fletch nuk e pëlqeu këtë”, tha Gahan. “Në fund, menaxheri ynë Jonathan duhej ta nxirrte jashtë – me forcë”.

Ford tha se dita pasardhëse i ngjante një seance të këshillimit martesor. Gahan kujton se përballja “ishte vërtetë e vështirë. Pas gjithë atyre viteve – ai tha disa gjëra. Unë thashë disa gjëra”.

Ata u sqaruan sa për ta përfunduar albumin Spirit, i lëshuar më 2017. Dhe, Gahan tha se çdo rezervë që kishte për të bërë albumin tjetër, u zhduk në momentin kur e dëgjoi demon që Gore kishte për këngën Ghosts Again. “Isha sikur, ‘Mezi po pres ta këndoj këtë këngë’”.

Pastaj, ishte maji dhe papritmas Andy Fletcher vdiq.

“U ndjeva, menjëherë, si mbështetës i Martinit”, tha Gahan. “Duhet të kujdesem për të – kjo është shumë më e vështirë për Martinin sesa për mua”.

Vendosën të vazhdonin me Memento Mori – dhe, siç thonë Gore dhe Gahan, vdekja e Fletcherit nxiti një intimitet që nuk e kishin përjetuar kurrë në 40 vjetët si shokë të grupit.

“Çdo vendim tani duhet të merret nga ne të dy”, tha Gore. “Kështu që duhet t’i diskutojmë gjërat kur nuk pajtohemi”.

Salogni, producentja dhe inxhinierja italiane që ka punuar me emra të njohur – dhe një grua e rrallë në këtë orbitë mashkullore – tha se ishte gjë “e mrekullueshme” të dëshmosh miqësinë e lulëzuar mes tyre. “Andy ishte filtër – pasi vdiq, filtri për fat të keq u zhduk dhe papritmas perdja ra dhe ata ishin aty për t’u përballur me njëri-tjetrin”, tha ajo.

Disponimi në seanca, tha Ford, “ishte shumë i zymtë”. Por, kishte edhe shumë kujtime – histori të Fletcherit të treguara gjatë drekave të gjata. “Ishte përvojë e bukur”, tha ai.

Depeche Mode, thotë Gahan, ka mbijetuar gjithmonë duke evoluar. “Ndonjëherë kemi ndryshuar natyrshëm, dhe nganjëherë ndryshimi ka qenë i detyruar”, tha ai, “dhe mendoj se kjo është ajo që po ndodhë tani. E humbëm një pjesë integrale të grupit, që është i pazëvendësueshëm. Rrethanat na detyruan të jemi ndryshe, të mendojmë për njëri-tjetrin në një mënyrë tjetër. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin në një tjetër mënyrë”. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version