Erolld Belegu ka dhënë dje (e martë) dorëheqjen nga posti i kreut të Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Këtë lajm, ai e bëri të ditur përmes një statusi të gjatë në rrjetin social Facebook, duke treguar se si erdhi deri te marrja e një vendimi të tillë.
Gjatë një bisede për Telegrafin, biznesmeni i njohur nga Peja, tregoi se periudhën si kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës do ta ruajë si një ndër eksperiencat më të mira në karrierën e tij.
“Ishte një eksperiencë unike dhe largimi nga Federata e basketbollit ishte ndër vendimet e mia më të vështira. Por, mbi të gjitha, do të vazhdoj të qëndroj pranë FBK-së duke u qëndruar besnik të gjithë atyre që më kanë besuar”, tha Erolld Belegu për Telegrafin.
I njëjti do të vazhdojë të mbajë postin e këshilltarit politik në Qeverinë e Kosovës, ku ka treguar se përderisa do të gjendet pranë kryeministrit, do të bëjë maksimumin për zhvillimin e basketbollit në Kosovë.
“Me të marrë detyrën këshilltar i kryeministrit të Kosovës iu jam drejtuar Agjensionit Anti-Korrupsion për mendimin nëse pozita ime në federatë mundet të përbëjë konflikt interesi. Pasi që kam marrë përgjigje pozitive dhe duke besuar që në pozitën e re në Qeverinë e Kosovës do të mund të kontribuoj edhe më shumë në zhvillimin e sportit në Kosovë. Pas konsultimeve me bordin e FBK-së, vendosa të tërhiqem nga pozita e kryetarit”, tregoi më tej Belegu.
Në përfundimin e bisedës, tashmë ish-kryetari i FBK-së, tregoi se çfarë duhet të bëhet më shumë në zhvillimin e sportit të Kosovës.
“Së pari mendoj që duhet të vazhdohet projekti jonë i përbashkët, që viteve të fundit ka qenë i fokusuar në zhvillimin e gjeneratave të reja, ngritjen e kuadrit profesional. Mendoj që implementimi i ligjit për sponsorim do t’i stabilizojë klubet financiarisht, sikurse do t’i ndihmojë Federatës të vazhdojë në mënyrë edhe më të vrullshme në projektet e filluara dhe ato të reja. Unë do të vazhdoj t’i qëndroj FBK-së në dispozicion, qoftë si zyrtar i Qeverisë, qoftë si njeri i sportit”, përfundoi Erolld Belegu për Telegrafin.
Ndërkohë, Federata e Basketbollit të Kosovës ende nuk ka dalë me një vendim zyrtar lidhur me pasuesin e postit të kreut të saj. /Telegrafi/