Site icon Telegrafi

Erolld Belegu, kandidat për kryetar të FBK-së

Erolld Belegu është njeriu ideal për ta udhëhequr Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), pas largimit të papritur të kryetarit të deritashëm, Fatmir Gashi, i cili u bë zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Ky është përfundimi të cilin e kanë nxjerrë unanimisht klubet e Superligës, të Ligës së Parë dhe të Ligës së Femrave të basketbollit, të cilët me nënshkrimet e tyre, e kanë vërtetuar të preferuarin e tyre për kreun e basketbollit në vend, raporton Express.

Ideja e Sigal Prishtinës për të dalë me Belegun si kandidat, u përkrah nga pothuajse të gjitha klubet tjera, edhe pse një pjesë e përfaqësuesve të tyre nuk ishin të pranishëm në konferencën për shtyp, të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësuesit e disa prej klubeve të Superligës dhe të Ligës së Parë si: Sigal Prishtina, Trepça, RTV-21, Studenti, Vëllaznimi, Ylli, Drita e Fushë Kosova.

Ata bashkërisht ishin të mendimit se Belegu ka vizion, lidhje të forta me kolegët nga jashtë dhe që ka qëndrueshmëri e vendosmëri.

“I falënderoj klubet për një përkrahje aq të madhe dhe në mënyrë unanime. Sigurisht, kjo bën që unë të kem përgjegjësi të mëdha. Unë e pranova këtë ide të tyre, pasi që të gjithë jemi njëzëri për të bërë diçka pozitive për basketbollin kosovar”, deklaroi fillimisht Belegu në konferencë për shtyp.

Ai i ftoi klubet e interesuara që pa problem ta zgjedhin ndonjë kandidat të tyre të preferuar për kryetar të FBK-së, ndërsa paralajmëroi riorganizim të strukturave udhëheqëse të institucionit të cilin mund ta drejtojë.

Ndër prioritetet e tij, në rast se zgjidhet kryetar, do të jetë zhvillimi i basketbollit vendor. Ai ndihet mirë që në Ligën Ballkanike do të marrin pjesë dy ekipe, Sigal Prishtina dhe Peja.

Një tjetër pikë kyçe për zhvillimin e basketbollit, por edhe të sportit në përgjithësi, e konsideroi Ligjin për Sponsorizim, duke insistuar që ai duhet të shtyhet sa më shumë përpara, në mënyrë që të hyjë në fuqi sa më shpejt.

Në fund, Belegu, i cili e kishte udhëhequr FBK-në për pesë vjet, para se të largohej tri vjet më parë, insistoi se basketbolli dhe sporti kosovar në përgjithësi duhet të futet në negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai e sheh këtë si rrugën më të duhur për t’iu afruar sportit ndërkombëtar, respektivisht anëtarësimit në Federatat ndërkombëtare.

Sipas të pranishmëve, Belegu e gëzon përkrahjen e shumicës së klubeve dhe ata nuk kanë asnjë fije dyshimi se ai do të jetë kryetari i ri i FBK-së.

Ndërkohë, kjo e fundit e ka zgjedhur kandidatin e saj. Bëhet fjalë për Blerim Vuniqin, dikur basketbollist i njohur dhe deri tash anëtar i Bordit të FBK-së. Flitet se kandidaturën e tyre mund ta paraqesin edhe Ismet Rexhepi dhe Shkëlzen Fetiu, transmeton Express.

Kuvendi Zgjedhor i FBK-së është caktuar të mbahet më 24 gusht në ora 12:00. Siç ka njoftuar shtëpia e basketbollit kosovar, kandidaturat për kryetar të FBK-së do të pranohen deri më datën 21 gusht në ora 16:00 në zyrat e Federatës. /Telegrafi/ 

Exit mobile version