Site icon Telegrafi

Ermonela Jaho: Në Shqipëri nuk do të më fusnin as në kor

Ermonela Jaho (Foto: Mira Kazhani/YouTube)

Ermonela Jaho është zëri shqiptar që prej vitesh ka pushtuar operat e botës.

E talentuara e cila ka prekur arenat ndërkombëtare në zhanrin të cilin e interpreton, e ka gjetur më shumë veten jashtë vendit dhe është pesimiste se një sukses të tillë do ta arrinte në vendin e saj.

Këtë ajo e bëri të ditur gjatë një interviste të fundit në “Zë me Mirën”, ku mes të tjerash rrëfeu përballë gazetares Mira Kazhanit, se po të ishte në Shqipëri mund të mos futej as në kor.

“Do të të zhgënjej pak me këtë përgjigje, por është përgjigje e drejtpërdrejt. S’e kam thënë ndonjëherë. Unë nuk e di a do më fusnin edhe në kor. Jemi një vend i vogël, me talente. Secili prej nesh ka një talent fantastik. Të gjithë lindin me një talent. Nuk ka vend për të gjithë fatkeqësisht”, ka thënë Ermonela Jaho.

Ermonela Jaho (Foto: Mira Kazhani/YouTube)

Tutje, sopranoja shqiptare me famë botërore është shprehur se bashkëkombësit e saj kanë probleme me vendin e parë, sepse të gjithë duan të jeni numri 1 – dhe e vërteta është se nuk ka shumë vend për numrin 1.

“Po sepse të gjithë duan të jenë numër 1. Nuk ka vend për të gjithë, për të qenë numri 1. Edhe për të vajtur tek ai numri 1, janë gati për t`i pushkatuar të gjithë, për të arritur. Edhe pse ti e sheh, dikush tjetër është më mirë se ty, nuk e pranojmë dot. Edhe nuk e pranojmë dot atë që flet gjuhën tonë. Që kemi ndarë atë bukën me gjalpë apo që jemi ulur bashkë, kemi pirë një kafe. Unë atij nuk ia fal të jetë numri 1. Kjo është logjika jonë. Nuk ta fal”, ka rrëfyer mes të tjerash e zhgënjyer sopranoja Jaho.

Por pavarësisht kësaj, ajo u shpreh se ndjen vetëm dashuri për atdheu ne saj dhe se shpreson ta shohë Shqipërinë gjithmonë “lart e më lart”. /Telegrafi/

Exit mobile version