Telegrafi

Ermali: Sabriu është më donzhuan se unë (Video)

Ermal Fejzullahu ka qenë mysafir i Turjan Hyskës në emisionin Oktapod, ku mes tjerash ka rrëfyer disa sekrete të marrëdhënies me babanë e tij, Sabri Fejzullahu.

Sipas këngëtarit, edhe pse ka kënduar disa herë bashkë me të atin, kjo ka ndodhur si zgjedhje e atyre që kanë bërë ftesën për të kënduar, pasi ai vetë, nuk e preferon shumë daljen bashkë me babanë, duke u shprehur me shaka se i duket “si takim me prindër”.

Ermali thekson se tashmë ka krijuar personalitetin e tij, duke theksuar se Sabriu fillimisht nuk ka dashur që ai të merrej me këngë, por ka qenë shtysa e nënës së tij që e ka bërë t’i hyjë kësaj rruge.

Gjatë intervistës, këngëtari ka përmendur se habitet me energjinë që përcjell babai i tij, duke vënë në dukje se në koncerte, në shumë raste, i ka kënduar këngët e të atit.

Lidhur me marrëdhënien në familje, Ermali e cilëson atë të shkëlqyer. I ngacmuar disa herë për çështjen e numrit të fëmijëve që ka dëshirë të ketë, Ermal Fejzullahu ka thënë se tre fëmijët që ka aktualisht, nuk do të mbeten po aq dhe se me shpresën e Zotit, do të ketë edhe të tjerë. Por, sipas tij, sa herë që bashkëshortja e tij, Ariana, sjell në jetë një fëmijë, ai shton në peshë.

Në ‘lojën’, Ermali përballë Sabriut që Hyskaj kishte përgatitur, ai ka pranuar se babai i tij ka zë më të bukur, por jo fëmijë më të bukur. Sipas 28 vjeçarit, gruaja e Sabriut është më e mirë se e tija. Lidhur me të ardhurat që përfitojnë nga koncertet, Ermali cilësoi se janë thuajse të njëjta, por Sabriu, sipas tij, është shumë më donzhuan, se ai vet.