Telegrafi

Ermal Meta shkëlqen në “Sanremo 2021”, renditet i pari në listën e interpretuesve të gjysmëfinales

Ermal Meta në "Sanremo 2021" (Foto: Instagram)

Këngëtari i famshëm shqiptar, Ermal Meta, po merr pjesë këtë vit në festivalin e madh të “Sanremos” në Itali.

Meta i cili ka fituar vendin e parë në këtë festival në vitin 2018 së bashku me Fabrizio Moron, sivjet po konkurron solo me këngën me titull “Un milione di cose da dirti”.

Ai interpretoi në natën e tretë të festivalit, duke shkëlqyer me paraqitjen e tij dhe interpretimin live.

Bazuar në klasifikimin e deritanishëm të festivalit nga votat e publikut, Ermali kryeson i pari në listën e 26 artistëve pjesëmarrës të gjysmëfinaleve.

Këngëtari shqiptar i ka bërë për vete italianët me tekstin e këngës, i cili është mjaft i ndjeshëm dhe vë në pah dashurinë e vërtetë.

“Pa emër unë, pa emër ti. Dhe flasim derisa të mos na duhet më një emër. Pa nxitim unë, pa nxitim ti. Butësisht prekim njëri-tjetrin për t’u kuptuar më shumë”, janë vargjet me të cilat nis teksti i këngës.

Kënga e cila përkthyer në shqip titullohet “Një milionë gjëra për të thënë”, do të vijë në natën finale të shtunën e interpretuar live nga Ermali, me shpresën që për herë të parë në histori, një shqiptar mashkull i vetëm të fitojë atë që njihet si festivali më i madh dhe më i vjetër evropian.

Këtë festival përndryshe në vitin 2018, Ermal Meta e kishte fituar në bashkëpunim me Fabrizio Moron me këngën “Non Mi Avete Fatto Niente”, ku përfaqësuan Italinë atë vit në “Eurovision” dhe së bashku u renditën në vendin e tretë. /Telegrafi/