Telegrafi

Ermal Meta revoltohet me spekulimet pas SanRemos

Pasi fitores së tij në festivalin e Sanremos, me këngën e titulluar “Non mi avete fatto niente”, mediat shqiptare publikuan lajmin se këngëtari shqiptar, Ermal Meta, ia kishte kushtuar babait të tij tekstin e saj.

Por, duket se një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe ka qenë vetë këngëtari, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook i ka hedhur poshtë këto lajme.

Ermal Meta u kërkon mediave në Shqipëri, që të mos spekulojnë mbi jetën e tij, pasi sipas tij ata nuk dinë asgjë për të: “Mos spekulloni mbi jetën time, ju nuk dini asgjë nga jeta ime. Kur në atë intervistë përdora fjalën “bastard” nuk thash asnjë emër. Mos e shtoni ju atë emër sepse gaboni rëndë jo vetëm me mua por edhe me familjen e personit për të cilin po shkruani ose po flisni”.

Këngëtari shqiptar, i cili do të përfaqësojë Italinë këtë vit në Eurovizion, në statusin e tij thekson se kënga “Non mi avete fatto niente” është kundër terrorrizmit dhe asgjë më shumë.

“Kënga që fitoi festivalin e Sanremos është kundër terrorizmit, asgjë më shumë. Shpresoj mos te lexoj më gjëra të tilla. Falemnderit për vëmëndjen”, përfundoi Ermal Meta.

Këngëtari shqiptar menjëherë pas fitores në Sanremo theksoi se nuk priste të fitonte festivalin e këngës italiane me “Non mi avete fatto niente”, edhe pse ishte këngë me “mesazh shumë të fortë”. /TCH/