Telegrafi

Ermal Meta: Emocion i papërshkrueshëm, faleminderit të gjithë atyre që na kanë mbështetur

(Foto: Getty Images)

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro fituan edicionin e 68-të të Festivalit Sanremo duke siguruar njëherësh biletën për të qenë pjesëmarrës në Lisbonë për ta përfaqësuar Italinë në Eurovision.

Kënga “Non mi avete fatto niente” u shpall kënga më e mirë duke lënë prapa Lo Stato Sociale (me këngën “Una vita in vacanza” dhe Annalisa (me këngën”Il mondo prima di te”) që zunë pozitat dy dhe tre respektivisht.

(Foto: Twitter)

“Është një emocion i papërshkrueshëm”, ishin fjalët e Metës, i cili këtë triumf ia dedikoi studios së tij incizuese, Mescal. “Ata besuan tek unë, kur askush tjetër nuk besonte”, ka thënë ai më tej.

(Foto: Getty Images)

“Erdhëm me një këngë dhe të dy fituam nga një mik. Faleminderit shumë të gjithë atyre që na kanë mbështetur gjatë gjithë kohës. Edhe gjestet e juaja të vogla ishin të rëndësishme dhe të vlefshme. Nuk do t’i harroj kurrë”, ka shkruar 36-vjeçari në Twitter.

Meta dhe Moro e fituan edhe çmimin ‘TIMmusic’, duke qenë se kënga “Non mi avete fatto niente” ishte më e dëgjuara në aplikacionin muzikor të këtij operatori.

(Foto: Getty Images)

Kujtojmë se kënga “Non mi avete fatto niente” nxiti kundërthënie në edicionin e sivjetmë të Sanremos, pasi që u akuzua për plagjiaturë. Fillimisht, dy këngëtarët u pezulluan nga kategoria kryesore për shkak të ngjashmërive të këngës së tyre me “Silenzio”, të realizuar ën vitin 2016.

Lexo po ashtu Të pandalshme sukseset e shqiptarëve, Ermal Meta fiton Festivalin Sanremo

Mirëpo, në një njoftim, shtëpia televizive RAI sqaroi se i ka shqyrtuar akuzat dhe është marrë vendimi se kënga ishte në përputhshmëri me rregulloren.

(Foto: Getty Images)

Tash si fitues të Festivalit Sanremo, këngëtari shqiptar dhe bashkëpunëtori i tij janë automatikisht përfaqësues të Italisë në ‘Eurovision 2018. /Telegrafi/