Site icon Telegrafi

Ermal Krasniqi, “Ylli i Javës” së 18-të në Albi Mall Superliga

Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje në Albi Mall Superligë.

Çmimi i më të mirit për javën e 18-të i ka takuar futbollistit të FC Ballkani , Ermal Krasniqi.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Zeqir Hasi, Fatmir Mehmeti dhe Florim Homolli.

Komisioni vlerësoi se sulmuesi anësor i kampionëve në fuqi ishte më i merituari në fitoren si mysafirë ndaj Gjilanit, me rezultat 3:0. Ai përgjatë tërë ndeshjes tregoi lojë të mirë, derisa ishte vendimtar në arkëtimin e tri pikëve të reja edhe me dy gola të shënuar.

Çmimi “Ylli i Javës” për Krasniqin e ndau Mentor Boroci, zyrtar ligjor në Albi Mall.

E pas marrjes së këtij çmimi për herë të dytë në këtë edicion, Ermal Krasniqi , foli për faqen zyrtare të FFK-së.

“Si çdo herë është kënaqësi të zgjedhësh më i miri i javës. Ndjenjë e mirë që u riktheva prapë gjatë këtij edicioni për ta marrë këtë shpërblim. Jam i lumtur për sukseset e klubit dhe për faktin që arrij ta ndihmoj skuadrën nga ndeshja në ndeshje në arritjen e objektivave të saj. Ballkani edhe në këtë edicion po tregon seriozitet dhe jemi në rrugën e duhur për ta mbrojtur titullin kampion. Falënderoj bashkëlojtarët, trajnerët dhe të gjithë stafin, pasi bashkërisht po bëjmë një punë të mrekullueshme”, ka theksuar Krasniqi.

Exit mobile version