Ballkani ka fituar 3-2 në udhëtim te Malisheva në ndeshjen që ishte paraparë të luhej në javën e parë të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Pas vetëm katër minutash lojë, malishevasit kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Agon Xhaka.
Por, kampioni në fuqi u këndell shpejtë dhe lëshoi një goditje të fuqishme përmes Nazmi Gripshit (16’), mirëpo Falmur Gashi ia doli ta priste me vështirësi.
Një rast ideal në minutën e 28-të e pati edhe Meriton Korenica, por edhe këtë herë Gashi ishte në vendin e duhur.
Malisheva nuk ia doli më të mbahej dhe u ndëshkua nga lojtari që vjen nga ky vend, Ermal Krasniqi (44’), për rezultatin 1-1.
Me këto shifra përfunduan edhe 45 minutat e parë, derisa e dyta nisi keq për vendasit.
Nga një harkim i Albion Rrahmanit, Krasniqi përfitoi në minutën e 57-të, duke përmbysur kështu shifrat në 2-1.
Ish-lojtari i Malishevës pati rastin të shënonte golin e tretë, por Gashi ia mohoi një gjë të tillë në minutën e 62-të.
Për golin e tretë të Ballkanit u përkujdes Meriton Korenica (74’), por që më pas mbrojtja e mysafirëve ra edhe një herë.
Malisheva ia doli të ngushtonte rezultatin në 3-2 me anë të Behar Maliqit që realizoi në minutën e 90+3-të.
Me këtë fitore, Ballkani është ngjitur në vendin e dytë me 15 pikë, dy më pak se lideri Drita, gjersa Malisheva është në të tetin me shtatë sosh. /Telegrafi/