Ermal Krasniqi ka falënderuar Ballkanin për kohën e kaluar së bashku, derisa karrierën e tij do ta vazhdojë te Cluj.
Mesfushori ofanziv nga Malisheva e kompletoi kalimin te skuadra rumune, me burimet e Telegrafit që bën të ditur se transferimi ka kushtuar 300 mijë euro dhe 15 për qind të kartonit në shitjen e ardhshme.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se ka kompletuar kalimin te Cluj, derisa ka falënderuar stafin e Ballkanit dhe tifozët e klubit.
Më poshtë mund ta lexoni pa ndërhyrje postimin e tij:
Të dashur miq,
Me anë të këtij njoftimi dua të ju njoftoj, se nga sot kam nënshkruar kontrate me klubin e futbollit Romun CFR 1907 CLUJ, një hap i rëndësishëm drejt realizimit të ëndrrës time futbollistike.
FC Ballkani do të ketë një vend special në zemrën time, ku u rritëm së bashku dhe arritëm suksese historike si në aspektin vendor, edhe në atë ndërkombëtar.
Faleminderit bashke lojtarëve, trajnerëve, presidentit Arsim Kabashi dhe në veçanti tifozëve „XHEBRAILAT“ dhe secilit që ishte pjesë e klubit sa isha aty.
Falënderim të veçante për Familjen time për përkrahjen e vazhdueshme, e po ashtu agjentit tim Kastriot Telaku.
I juaji Ermal Krasniqi. /Telegrafi/