Telegrafi

Erling Haaland shënon ‘poker’ në fitoren e thellë të ‘Qytetarëve’ drejt titullit kampion

Manchester City ka shënuar fitore me rezultat të thellë 5-1 ndaj Wolverhampton në kuadër të javës së 36-të në elitën e futbollit anglez.

Në këtë takim shkëlqeu norvegjezi Erling Haaland, i cili ishte autor i katër golave të shënuar nga ‘Qytetarët’ në këtë ndeshje.

Golin e parë Haalandi e shënoi në minutën e 12-të të sfidës, duke ekzekutuar me qetësi penalltinë për rezultatin 1-0.

Për të dyfishuar epërsinë e Cityt, Haalandi shënoi edhe një herë tjetër në minutën e 36-të, duke shfrytëzuar një krosim fantastik të Rodrit për rezultatin 2-0.

Teksa po i afroheshim fundit të pjesës së parë, Manchester City fitoi edhe një penallti tjetër, ku edhe kësaj radhe Erling Haaland (48’) u tregua i saktë nga pika e bardhë për rezultatin 3-0.

Mysafirët ia dolën të shënojnë një gol në pjesën e dytë me anë të Hee-Chan Hwang (53’) i cili shfrytëzoi një gabim të madh nga Ederson për të zbutur shifrat në 3-1.

Vetëm një minutë më vonë, Haaland (54’) shënoi golin e katërt të tij personal dhe të katërtin për Cityn në këtë takim (4-1).

Goditjen përfundimtare Wolvesit në këtë sfidë ia dha Julian Alvarez (85’) i cili me lehtësi realizoi për 5-1 pas asistimit të Rodrit.

Me këtë fitore të thellë City shkon në kuotën e 82 pikëve të grumbulluara, një më pak se lideri Arsenali që ka 83 sosh, por ‘Qytetarët’ kanë një ndeshje më pak të luajtur./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore