Erling Haaland ka fituar një pseudonim të ri pas ardhjes së tij në Manchester City.
Nuk ka të bëjë fare me dy ‘hat-trickët’ që ka shënuar këtë sezon, por me serialin e ri televiziv të quajtur ‘House of the Dragon’, shkruan The Sun.
Duke theksuar ngjashmërinë e tij të jashtëzakonshme me personazhin Daemon Targaryen, bashkëlojtarët e Haalandin në Manchester City tani po e quajnë ndërkombëtarin norvegjez ‘Daemon’.
“Disa nga lojtarët janë tifozë të mëdhenj të ‘House of Dragon’ dhe ata i kanë përmendur Erlingut se sa shumë i ngjan Daemonit”, tha një burim i brendshëm i klubit për The Sun.
“Ai e do këtë shaka dhe mendon se është qesharake. Daemon është i paparashikueshëm dhe po ashtu edhe Erling, kështu që edhe personalitetet e tyre përshtaten”, tregoi burimi brenda klubit.
Haaland ka pasur një hov të madh suksesi në fushën e gjelbër pas lëvizjes së tij nga Borussia Dortmund. Ai tashmë ka shënuar nëntë herë në vetëm pesë ndeshje në Ligën Premier, duke përfshirë dy ‘hat-trick’ në më pak se një javë.
“Kur City bleu Erlingun, të gjithë folën për atë që ai ka bërë në të kaluarën”, tha trajneri i tij Pep Guardiola pas fitores 6-0 të Sky Blues ndaj Nottingham Forest të mërkurën.
“Ajo që ne donim të bënim është ta ndihmonim atë. Shpresojmë që ai të kënaqet dhe të shënojë më shumë gola”, tha tutje ai.
“Atë që ai ka bërë në Norvegji, Austri dhe Gjermani, ai përpiqet ta bëjë këtu. Ai është i talentuar, ne e dinim”, përfundoi Guardiola. /Telegrafi/