Telegrafi

Eriksen rikthehet në stërvitje, por me skuadrën daneze dhe jo me Interin

Christian Eriksen ka qenë njëri nga emrat më të përfolur në botën e futbollit gjatë vitit 2021.

Mesfushori danez pësoi një atak kardiak gjatë kampionatit evropian, por fatmirësisht shpëtoi për mrekulli falë intervenimit të shpejtë të stafit mjekësorë.

Eriksen është operuar dhe gjendja e tij tanimë është e mirë, por që nuk mund të luaj në Itali.

Danezi ka mbetur jashtë fushave që nga 12 qershori kur pësoi atak kardiak në sfidën Danimarkë – Finlandë.

Gjithsesi tani lojtari është rikthyer në vendlindje, ku ka filluar stërvitjet me ish-skuadrën e tij Odense.

“Jemi të lumtur që po mban formën me ne”, tha drejtori sportiv i Odenses, Michael Hemmingsen.

“Ne kemi mbajtur kontakte të vazhdueshme me Christianin që nga koha kur ai u largua dhe për këtë arsye jemi të lumtur që ai na pyeti nëse mund të stërvitej tek ne për ta mbajtur formën”, vazhdoi tutje Hemmingsen.

Eriksen u largua nga Odense në verën e vitit 2009 për 1,5 milionë euro duke iu bashkuar Ajaxit, pastaj bëri karrierë edhe te Tottenham Hotspur dhe Inter.

29-vjeçari është nën kontratë me Interin deri në qershor të vitit 2024, por një rregull në Serie A nuk i lejon lojtarët që kanë probleme me zemër të aktivizohen.

Sigurimi i FIFA-s e mbulon pagën e tij prej shtatë milionë eurove në vit dhe lojtari do ta diskutojë kontratën me Interin në javët e ardhshme, pasi nuk ka drejt loje në Itali. /Telegrafi/