Christian Eriksen është një ndër lojtarët kryesor të kombëtares daneze që të enjten do të ballafaqohet me Kosovën.
Ylli i mesfushës së Tootenham Hotpsurs ka pasur deri më tani 38 ndeshje në të gjitha garat dhe pothuajse është paraqitur tremijë minuta.
Por, futbollisti deklaron se përkundër programit të ngjeshur, ka ardhur në shtëpi për ndeshjet e radhës të kombëtares daneze.
“Këmbët po më punojnë mirë. Ne nuk luajtëm në fundjavë dhe ka qenë një kohë e gjatë që ne nuk kemi pasur ndeshje çdo të tretën apo të katërtën ditë. Është e bukur dhe pak e çuditshme. Unë jam në fakt pak i shqetësuar, por dua të luaj e ta ndihmoj kombin”, tha 27-vjeçari.
Megjithatë, mediat skandinave shkruajnë se futbollisti mund të kursehet nga përballja me dardanët pasi që katër ditë më vonë do të luajnë kundër Zvicrës në kuadër të kualifikueseve për Euro 2020.
Ndryshe, ballafaqimi mes Kosovës dhe Danimarkës do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim në ora 19:00. /Telegrafi/