Site icon Telegrafi

Eriksen i bashkohet ekipit, Interi jep njoftimin e fundit mbi gjendjen e tij shëndetësore

Klubi italian, Interi ka njoftuar ardhjen e mesfushorit Christian Eriksen në qendrën stërvitore, teksa ka konfirmuar se gjendja e tij psiko-fizike është e shkëlqyer.

Eriksen la të shtangur të gjithë kur ra pa ndjenja në fushën e lojës gjatë ndeshjes së parë të Danimarkës në Euro 2020 ndaj Finlandës.

Stafit mjekësor iu deshën plot 15 minuta intervenim për ta kthyer në jetë mesfushorin, i cili kishte pësuar një arrest kardiak.

Lexo po ashtu Eriksen ka vendosur defibrilator kardioverter, por karriera e tij në Serie A është në rrezik

Më vonë, Eriksen iu desh një intervenim duke i vendosur atij një defibrilator kardioverter për rregullimin e rrahjeve të zemrës dhe karriera e tij thuhej se ishte në rrezik.

Megjithatë, Interi ka ardhur sot (e mërkurë) me një njoftim mbi gjendjen e Eriksenit, i cili ka arritur në Itali dhe ka vizituar ekipin në stërvitje.

“Këtë mëngjes Christian Eriksen shkoi në Qendrën Stërvitore Suning në Appiano Gentile”.

“Mesfushori danez, i cili përshëndeti menaxherët, trajnerin, shokët e skuadrës dhe të gjithë stafin e pranishëm, është mirë dhe në gjendje të shkëlqyer psiko-fizike”.

“Eriksen do të ndjekë programin e rimëkëmbjes të propozuar nga mjekët danezë në Kopenhagë, të cilët do të koordinojnë të gjithë ndjekjen klinike, duke mbajtur gjithmonë të informuar stafin mjekësor të FC Internazionale Milano”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

 

Exit mobile version