Në intervistën e tij të fundit për BBC, Sir Jim Ratcliffe e ka bërë të qartë se hierarkia e re tek Manchester united do të marrë vendime lidhur me stilin e lojës së klubit.
Sipas kësaj, Ratcliffe ka lënë të kuptohet se trajneri duhet të adaptohet me filozofinë e tyre për të zhvilluar një stil të caktuar të lojës.
Për këtë kriter të vendosur nga aksionari i ri është pyetur edhe trajneri Ten Hag i cili ka thënë se në dakordim me klubin diktohet stili i lojës.
“Klubi dikton stilin e lojës, kështu që ju duhet të arrini një marrëveshje për këtë. Këtë e japin drejtuesit e klubit”, ka thënë fillimisht Ten Hag.
“INEOS dëshiron të luajmë futboll proaktiv, dinamik dhe sulmues, diçka që jemi munduar ta bëjmë gjatë kohës sime këtu”, është shprehur holandezi.
Ndërsa Ten Hag ka bërë përpjekje për të konfirmuar se ekipi i tij gjithmonë i ka dhënë prioritet futbollit sulmues dhe dinamik, numrat, të paktën këtë sezon, duket se nuk e dëshmojnë këtë.
“Djajtë e Kuq” kanë shënuar vetëm 36 gola në 26 ndeshje në Ligën Premier këtë sezon, shifër kjo e cila ishte më e vogla në krahasim me 10 ekipet më të mira në kampionat.
Është e qartë se Ten Hag duhet të udhëheq ekipin e tij drejt trofeve, me shumë mundësi drejt Kupës FA, për të siguruar pozitën e tij tek United edhe për sezonin e ardhshëm./Telegrafi/