Site icon Telegrafi

Erërat më të fuqishme në 27 vjet godasin Britaninë dhe Irlandën, një i vdekur dhe gati një milion pa energji elektrike

Një person ka vdekur në Irlandë dhe qindra mijëra shtëpi janë pa energji elektrike në Mbretërinë e Bashkuar pasi stuhia Eowyn e goditi vendin me erëra rekord.

Burri vdiq kur një pemë ra mbi veturën e tij në County Donegal, njoftoi Gardai (policia irlandeze).

Irlanda pa erërat e saj më të forta të regjistruara ndonjëherë, duke çuar në 725,000 prona pa energji dhe rreth 138,000 njerëz pa ujë.

Ndërsa në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, miliona njerëzve iu kërkua të qëndronin në shtëpi pasi të premten u regjistruan erëra prej 160 km/h.

Erërat më të forta kishin kaluar në mbrëmjen e së premtes, por stuhia pritej të sillte rreh më shumë se 80 mph (128 km/h) në brigjet dhe kodrat e Skocisë dhe Irlandës së Veriut.

Raportohet se stuhia goditi me erërat më të forta në 27 vjet, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Ministri i Parë i Skocisë, John Swinney e quajti stuhinë një “ngjarje të jashtëzakonshme të motit” dhe tha se kërkohet ende një “nivel i lartë vigjilence”.

Pati ndërprerje të rënda në aeroporte, me rreth 1,124 fluturime të anuluara, duke prekur rreth 150,000 pasagjerë, sipas firmës analitike të aviacionit Cirium.

Dublini, Edinburgu, Heathrow dhe Glasgow ishin aeroportet më të prekura.

Shërbimet e autobusëve dhe trenave u pezulluan në Irlandën e Veriut, ndërsa zinxhiri i supermarketeve Tesco tha se të gjitha dyqanet e tij janë mbyllur dhe dërgesat në shtëpi janë anuluar.

Operatorët e trageteve gjithashtu duhej të anulonin kalime të shumta.

Shpejtësia më e lartë e erës në Mbretërinë e Bashkuar prej 160 km/h u regjistrua në Drumalbin në South Lanarkshire në Skoci.

Bordi i Furnizimit me Energji Elektrike tha se kishte “dëme të paprecedenta, të përhapura dhe të gjera në infrastrukturën e energjisë elektrike” dhe do të duhen “një numër i konsiderueshëm ditësh” për të rivendosur energjinë.

Ndryshe, gjatë kalimit të Atlantikut, stuhia Eowyn iu nënshtrua një procesi të njohur si “ciklogjeneza shpërthyese” – ndonjëherë e quajtur “bombë moti”.

Ky term përdoret për të përshkruar një zonë me presion të ulët që thellohet me të paktën 24 milibar në 24 orë.

Stuhia Eowyn u thellua me 50 milibar në 24 orë.

Ciklogjeneza shpërthyese në përgjithësi është një shenjë e një stuhie që do të sjellë erëra jashtëzakonisht të forta.

Ato zakonisht mund të zgjasin për tre ose katër orë, duke sjellë erërat më të dëmshme. /Telegrafi/

Exit mobile version