Telegrafi

Erërat që frynin me shpejtësi mbi 150 km/h shkulën panelet e xhamit që shërbenin si dysheme në urën 300 metra të lartë, turisti kinez mbetet i varur në rrethojën mbrojtëse

Një turist mbeti i varur në rrethojën mbrojtëse të një ure, pasi panelet e xhamit që shërbenin si dysheme – u shkëputën dhe ranë nga ura 300 metra e varur në një atraksion turistik në Kinë.

Gjithçka ndodhi pas erërave të forta, që shkëputën panelet e xhamit mbi urën e ndërtuar në malin Piyan në qytetin kinez Longjing, transmeton Telegrafi.

Pamjet rrëqethëse shfaqin burrin duke u mbajtur në rrethojën mbrojtëse, pasi erërat frynin me shpejtësi prej mbi 150 kilometra në orë dhe si pasojë kishin shkulur panelet e xhamit që shërbenin si dysheme.

Pamjet e këtij burri fillimisht ishin publikuar në platformën Weibo e më pas edhe në mediat e tjera sociale, ndërsa mediat kineze raportojnë se pas intervenimit të ekipeve të zjarrfikësve burri është shpëtuar. /Telegrafi/