Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), ka njoftuar se për shkak të kushteve atmosferike që po mbizotërojnë në vend, erërat e forta kanë shkaktuar një sërë prishjesh në Ferizaj, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë e Gjilan.
KEDS po ashtu ka publikuar një numër kujdestar që qytetarët të mund ta kontaktojnë kompaninë.
“Ekipet tona janë të mobilizuara në secilin lokalitet dhe po punojnë vazhdimisht deri në sanimin e plotë të prishjeve. Për çdo problem të shfaqur në rrjet ju lutem kontaktoni numrin zyrtar pa pagesë, 0800 791 00 ose kanalet tjera të komunikimit”, thuhet në njoftimin e KEDS.
Nga KEDS kanë bërë të ditur se janë në gatishmëri të plotë, që intervenimet të kryhen në kohë sa më të shkurtër.