Telegrafi

Erërat e forta shkaktojnë dëme të mëdha në Pejë

Në vendin tonë gjatë ditës së djeshme por edhe sot pati mot të vranët, më stuhi, reshje të shiut e më pas edhe të reshura të borës.

Nga erërat e forta, pati edhe dëme, por jo edhe pasoja në qytetarë. Erërat e forta kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin e Pejës.

Në disa fotografi që ka siguruar Telegrafi, shihet sesi çatitë e disa shtëpive janë dëmtuar, pastaj shtyllat elektrike janë rrëzuar e po ashtu edhe gjendja në rrugët e qytetit nuk duket e mirë.

Durim Sheremeti, shef i Kabinetit të Kryetarit të Pejës, ka thënë për Telegrafin se erërat e forta kanë shkaktuar dëme në disa objekte.

Ai ka thënë se dëme të konsiderueshme pati në rrjetin elektrik.

“Kemi dëme në disa objekte. Gjende më keqe paraqitet në fushën e sportit në Brestovik, pastaj disa çati të shkollave kanë pësuar dëmtime. Dëme ka edhe në ndriçimin publik, kurse dëme të konsiderueshme ka pasur në rrjetin elektrik”, ka thënë Sheremeti.

Sheremeti ka theksuar se deri nesër drejtoria e emergjencave do të dal me raport final se sa është dëmi i shkaktuar nga erërat e forta në qytetin e Pejës. /Telegrafi/