Telegrafi

Erërat e forta e ndërpresin përkohësisht punën në QKRC dhe QRA në Komunën e Istogut

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, respektivisht Agjencia për Regjistrim Civil, njofton qytetarët se për shkak të erërave të fuqishme që ka pasur ditën e djeshme në komunën e Istogut, është dëmtuar objekti i Qendrës Komunale për Regjistrim Civil dhe Qendrës për Regjistrim të Automjeteve.

Prandaj, QKRC dhe QRA në këtë komunë, përkohësisht nuk do të mund të ofrojë shërbimet për qytetarët si: letërnjoftim, pasaportë, patentë shoferë, dhe nuk do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre në këtë komunë, transmeton Telegrafi.

Deri në riparimin e dëmeve ftojmë të gjithë qytetarët e komunës së Istogut që për kryerjen e këtyre shërbimeve të drejtohen në qendrat më të afërta të kësaj komune, përjashtimisht ata të cilët kanë nevojë për regjistrimin e automjeteve të cilët duhet të presin deri në ri-funksionalizimin e kësaj Qendre.

MPBAP do të njoftojë qytetarët me kohë për fillimin e shërbimeve në këtë komunë.

Ndërkohë, Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, ka thënë se pas gjendjes së shkaktuar nga erërat e forta, ai ka formuar tri Komisione të cilat do t’i vlerësojnë dëmet.

Rugova ka bërë të ditur se ka formuar Komisionin për vlerësimin e gjendjes të institucioneve publike, Komisionin për vlerësimin e gjendjes të infrastrukturës rrugore dhe Komisionin për vlerësimin e gjendjes në bujqësi./Telegrafi/