Telegrafi

Erdogani pret në takim një grup të deputetëve të Kosovës

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka pritur në takim një grup të deputetëve nga Kosova.

Takimi është zhvilluar në Kuvendin e Turqisë, bëri të ditur të mërkurën deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku.

Teksa e quajti mik të madh të shqiptarëve, Lushtaku tha se Erdogani i ka pritur ngrohtësisht në takim.

“Mikpritja, modestia, afërsia, janë disa nga tiparet që e karakterizojnë këtë lider të përmasave botërore. ‘Turqia do të vazhdojë të mbështesë popullin e Kosovës në të gjitha fushat’, ishin fjalët e tij”, shkroi deputeti në Facebook.

Ai tutje tha se Turqia është partnere strategjike e cila ka mbështetur pa rezervë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Në vazhdën e zhvillimeve të fundit, roli i Presidentit Erdogan është shumë i rëndësishëm për garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, përfundoi Lushtaku. /Telegrafi/