Telegrafi

Erdogan viziton qytetin turk të goditur nga tërmeti, numri i të vdekurve arrin në 22

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka arritur sot në Elazig që ndodhet në pjesë lindore të Turqisë, që gjatë ditës së djeshme u godit nga një tërmet vdekjeprurës.

Me këtë rast, Erdogan anuloi pjesëmarrjen e planifikuar në asamblenë e 33-të dhe ceremoninë e ndarjes çmimeve të Bordit për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë të Turqisë, që do të zhvillohej në Stamboll, transmeton Telegrafi.

Tërmeti me fuqi prej 6.8 ballësh, që e goditi këtë zonë në epiqendër e kishte distriktin e afërt Sivrice, ndërsa dridhjet janë dëgjuar në Siri dhe Gjeorgjinë e afërt.

Lexo po ashtu Tërmeti në Turqi, 21 të vdekur dhe 1000 të lënduar, në kërkim të 30 personave nën rrënoja

Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu, ka bërë të ditur gjatë ditës së sotme, se janë 22 të vdekur deri më tani, si pasojë e dridhjeve.

“Katër njerëz vdiqën në Doganyol dhe 18 të tjerë në Elazig”, ka thënë Soylu, në një konferencë shtypi së bashku me ministrin e shëndetësisë dhe ministrin e urbanizimit, në provincën Elazig të goditur nga tërmeti.

Gjithsej 39 njerëz u shpëtuan nga rrënojat e shtëpive dhe ndërtesave të rrënuara, shtoi Soylu. /Telegrafi/