Presidenti turk Recep Tajip Erdogan do të bëjë një vizitë në Kroaci, vend anëtar të BE-së i cili gjithashtu ka pranuar që të pranojë një pjesë të refugjatëve sirianë nga Turqia, si pjesë e një plani të diskutueshëm për të frenuar imigracionin e paligjshëm në Evropë.
Siç raportojnë mediat kroate, pritet që kriza e refugjatëve dhe konvergjencat e Turqisë në BE të jenë temat kryesore të takimeve, transmeton Telegrafi.
Po ashtu, përveç këtyre, në takimet ndërmjet Erdogan dhe presidentes kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç pritet që të flitet edhe rreth forcimit të marrëdhënieve të ndërsjella ekonomike.
Në këtë drejtim, përcjellin mediat kroate, të dy vendet i kanë dhënë një rëndësi të madhe vizitës, gjë e cila edhe dëshmohet nga përbërja e delegacionit turk.
Po sipas medieve, në Zagreb, së bashku me Erdogan do të vijnë edhe ministrat e drejtësisë, çështjeve evropiane, ekonomisë, energjisë, kulturës dhe turizmit, dhe më shumë se 90 udhëheqës të biznesit. /Telegrafi/