Site icon Telegrafi

Erdogan ultimatum separatistëve kurdë në Siri: Dorëzohuni ose do t’iu fshijmë ‘nga faqja e dheut’

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi të premten se “terroristët separatistë”, duke iu referuar forcave kurde në Siri, po përballen me një situatë gjithnjë e më të vështirë pas çlirimit të Damaskut nga opozita siriane.

“Me çlirimin e Damaskut nga opozita siriane, terroristët separatistë po shtyhen gjithnjë e më shumë drejt një qosheje dhe po kërkojnë mbështetës të rinj. Ata po përpiqen të fitojnë mbështetjen e atyre që nuk dëshirojnë stabilitet në rajonin tonë, duke iu afruar fuqive imperialiste që përfitojnë nga gjaku dhe lotët”, tha lideri turk gjatë një takimi të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në provincën perëndimore Aydin.

Ai shtoi se, “pavarësisht se çfarë bëjnë, përpjekjet e tyre janë të kota dhe pa kuptim”.

Erdogan theksoi se armiqësia ndaj Turqisë dhe Sirisë nuk do të sjellë asnjë përparim.

“Sa më shumë që ndjekin ambiciet separatistë, aq më afër janë një fundi të hidhur. Nëse nuk përballen me realitetet e reja në terren, koha e tyre do të shkurtohet edhe më shumë. Mbështetja në qendrat e fuqisë së huaj nuk do të sjellë asnjë rezultat dhe nuk do të funksionojë kurrë. Terroristët kanë vetëm dy opsione – të heqin dorë nga terrorizmi dhe të dorëzojnë armët ose të zhduken”, paralajmëroi ai.

Ndrysh, pas gati 25 vitesh në pushtet, Bashar al-Assad, udhëheqësi i Sirisë, iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund dekadave të sundimit të partisë Baath. Marrja e pushtetit erdhi pasi luftëtarët e grupit Hayat Tahrir al-Sham morën qytete kyçe në një ofensivë të shpejtë që zgjati më pak se dy javë.

Ndryshe, administrata e re, e kryesuar nga Ahmed al-Sharaa, ka marrë tashmë kontrollin e vendit. /Telegrafi/

Exit mobile version