Telegrafi

Erdogan ua tërheq vërejtjen diplomatëve të huaj

Mosmarrëveshja për praninë e diplomatëve të huaj si vëzhgues në procesin gjyqësor kundër dy gazetarëve kritikë ndaj qeverisë në Turqi është ashpërsuar. Presidenti Erdogan ka shprehur zemërimin e tij.

Në një fjalim të mbajtur në Stamboll, Presidenti i Turqisë sulmoi veçanërisht Konsullin e Përgjithshëm të Britanisë së Madhe, Leigh Turner.

Pa e përmendur Turnerin me emër, Recep Tayip Erdogani kritikoi që ai angazhohet për një gazetar, i cili ka dalë para gjyqit për shkak të akuzave për spiunazh.

“Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ai bën edhe një fotografi faqe më faqe me të dhe e nxjerr në internet”, tha Recep Tayip Erdogan sipas agjencisë së lajmeve Anadolu.

Turneri pati ndjekur të premten me disa diplomatë të huaj, midis tyre edhe me ambasadorin gjerman, Martin Erdmann, hapjen e procesit gjyqësor shumë të diskutueshëm kundër dy gazetarëve kritikë ndaj qeverisë, Can Dündar dhe Erdem Gül.

Kryeredaktorin e gazetës “Cumhuriyet”, Dündar dhe shefin e zyrës së gazetës për kryeqytetin i akuzojnë ndër të tjera për spiunazh, tradhti të sekreteve shtetërore dhe mbështetje të një organizate terroriste. Në rast dënimi, të dy i pret burgim i përjetshëm.

Para se të shkonte për të ndjekur procesin gjyqësor, Turner publikoi disa fotografi në rrjetin e Twitterit, midis tyre një selfie me Dündarin dhe e komentoi seancën me fjalët: “Turqia vendos vetë se çfarë vendi dëshiron të jetë”.

Erdogani deklaroi se me këtë qe kapërcyer një kufi.

“Nëse ky person mund ta kryejë edhe më tej shërbimin e tij në Turqi, kjo ka të bëjë me fisnikërinë dhe me mikpritjen tonë”, tha Erdogani sipas agjencisë Anadolu.

Sipas tij, në vende të tjera, diplomatët që manifestojnë sjellje të tilla nuk durohen për asnjë ditë.