Site icon Telegrafi

Erdogan: Trump s’do jetë i ashpër ndaj myslimanëve

Rexhep Tajip Erdogan rreshtohet në krahun e liderëve botërorë që shpresojnë në ngrohjen e marrëdhënieve të vendeve të tyre me Amerikën pasi në krye të Shtëpisë së Bardhë të vendoset Donald Trump.

Fitorja e miliarderit në zgjedhjet e 8 nëntorit krijoi shumë pakënaqësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë këtu dhe një pjesë të establishmentit republikan, por jashtë kufijve, ata që patën fërkime me administratën Obama, presidencën e Trump e shohin si mundësi të mirë për një fillim të ri.

“I telefonova Trumpit ditën pas fitores dhe ai mu përgjigj. Të dy ramë dakord se duhet bërë shumë për sa i takon të ardhmes së marrëdhënieve amerikano-turke. Unë vetë nuk mendoj se ai do të ndjekë një linjë aq të ashpër kundër myslimanëve. Në fakt, pas atyre që tha gjatë fushatës e ka korrigjuar veten në deklaratat e fundit mbi këtë çështje”, u shpreh Erdogan.

Këto komente, presidenti turk i bëri gjatë një interviste për një televizion izraelit ku foli dhe për cilësitë që duhet të ketë udhëheqësi i një kombi.  “Çdo vendi i duhet një lider i fuqishëm që të ecë përpara. Kur nuk ka udhëheqës të tillë, vendi nuk përparon dot.

Një shtet që nuk ka në krye drejtues të fortë, është i destinuar të rrëzohet”, shtoi Presidenti turk. Kjo ishte hera e parë që Erdogan fliste për një media izraelite që prej ashpërsimit të marrëdhënieve mes dy vendeve për shkak të incidentit të flotiljes së aktivistëve turq në 2010-ën.

Izraeli dhe Turqia i normalizuan marrëdhëniet mes tyre në qershor, të shtyrë nga perspektiva e një pakti tejet fitimprurës gazi në zonën e Mesdheut si dhe nga frika e përbashkët mbi rreziqet e sigurisë në Lindjen e Mesme.

Exit mobile version