Turqia do t’i bëjë ftesë presidentit sirian, Bashar al-Assad, për të zhvilluar bisedime të mundshme në një përpjekje për rivendosjen e marrëdhënieve midis dy shteteve fqinje, ka njoftuar presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Ne do t’i bëjmë ftesë Bashar al-Assad. Me këtë ftesë, ne duam të rivendosim marrëdhëniet Turqi-Siri si në të kaluarën. Ftesa mund të bëhet në çdo kohë”, tha Erdogan.
Bëhet e ditur se Turqia ndërpreu lidhjet me Sirinë në vitin 2011 pas shpërthimit të luftës civile siriane, në të cilën turqit mbështetën rebelët që kërkonin të rrëzonin Assadin, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Gjithashtu, Turqia ka kryer disa operacione ushtarake ndërkufitare kundër militantëve që thotë se kërcënojnë sigurinë e saj kombëtare dhe ka formuar një “zonë të sigurt” në veri të Sirisë.
Erdogan tha se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kryeministri i Irakut, Mohammed Shia’ Al Sudani, mund të kontribuojnë në lehtësimin e kontakteve.
“Tani kemi arritur në një pikë ku nëse Bashar al-Assad bën një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve me Turqinë, ne gjithashtu do të tregojmë atë qasje ndaj tij”, tha Erdogan.
Ndryshe, zyrtarët sirianë kanë thënë vazhdimisht se çdo normalizim në marrëdhëniet mund të vijë vetëm pasi Turqia të pranojë të tërheqë mijëra trupa nga veriperëndimi i mbajtur nga rebelët. /Telegrafi/