Site icon Telegrafi

Erdogan shtyn vizitën në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shtyrë takimin me presidentin amerikan, Joe Biden, i planifikuar të zhvillohej me 9 maj në Shtëpinë e Bardhë, ka njoftuar një zyrtar turk.

“Ne do ta presim me padurim presidentin Erdogan në Shtëpinë e Bardhë në një kohë të përshtatshme për të dyja palët”, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Në kushte anonimiteti, zyrtari turk tha se një datë e re për takim do të caktohet së shpejti, ndërsa shtyrja e tij ende mbetet e paqartë.

Edhe pse Shtëpia e Bardhë nuk njoftoi kurrë zyrtarisht për vizitën e mundshme të Erdoganit, një zyrtar amerikan tha se pas vizitës së Ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, në Uashington, Shtëpia e Bardhë ishte pajtuar për një takim midis Bidenit dhe Erdoganit, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu “Do të jem zëri i popullit palestinez edhe nëse mbetem vetëm”, thotë Erdogan – zbulohen detaje të takimit të tij me shefin e Hamasit

Erdogan dhe Biden janë takuar disa herë në samite ndërkombëtare dhe kanë zhvilluar biseda telefonike, por nëse takimi do të mbahej atëherë do të shënonte vizitën e parë të presidentit turk në Uashington.

Lidhjet midis SHBA-së dhe Turqisë prej kohësh kanë qenë të tensionuara. Ndërsa ato u zbutën që kur Ankaraja ratifikoi ofertën e Suedisë për anëtarësim në NATO, tensionet midis dy vendeve vazhdojnë mbi Sirinë, Rusinë dhe luftën në Gazë.

Ndryshe, Erdogan së fundmi ka vizituar Irakun. Gjithashtu, ai u takua edhe me liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh, në Stamboll, takimi i parë midis Erdoganit dhe një anëtari të Hamasit që kur Izraeli filloi ofensivën ushtarake në Gazë. /Telegrafi/

Exit mobile version