Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, ka bërë të ditur se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka telefonuar presidentin venezuelian, Nicolas Maduro, të cilët i ka thënë “Vëlla Maduro! Qëndro drejt, ndodhemi pranë jush”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pasi kreu i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, shpalli veten si “president përkohshëm” i vendit, në një postim në llogarinë e tij në Twitter, Kalın tha se, “Presidenti ynë ka telefonuar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, të cilët i ka thënë ‘Vëlla Maduro! Qëndro drejt, ndodhemi pranë jush‘. Turqia nën udhëheqjen e presidentit tonë Erdoğan do të mbajë qëndrimin e saj parimor kundër të gjitha grusht shteteve”.
Në fund të mesazhit, Kalın ka përdorur edhe etiketën “#WeAreMADURO”.
Ndryshe, Guaido shpalli veten president gjatë protestave anti-qeveritare në Karakas.
“Për t’i dhënë fund uzurpimit të qeverisë, për të formuar qeverinë kalimtare dhe për të organizuar zgjedhje të lira, betohem për të marrë përsipër detyrën e presidentit të Venezuelës”, tha Guaido gjatë fjalimit të tij në protestë.
Ndërkaq, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mbështet Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës.
Po ashtu, edhe Kanadaja dhe vendet e Amerikës Jugore si Brazili, Kolumbia dhe Paraguai, kanë njoftuar njohjen e Guaidos si presidenti të përkohshëm të Venezuelës.
Kohë më pas, presidenti Maduro njoftoi ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me SHBA-të, të cilën e akuzoi për “organizim të puçit kundër qeverisë legjitime” të vendit të tij, dhe u dha afat prej 72 orëve diplomatëve amerikanë të largohen nga Venezuela.