Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kërkoi nga Rusia që të rishikojë mbështetjen ndaj regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad, pas sulmit me armë kimike ndaj civilëve në Idlib dhe sulmin e SHBA-ve në bazën ushtarake siriane në Homs.
“Shpresojmë se kjo nuk do të mbetet vetëm në kuadrin e reagimit të SHBA-së, por edhe Rusia do të përfshihet në të. Të paktën të ndërpresin mbështetjen ndaj Asadit”, tha Erdogan.
Duke shprehur kënaqësinë me deklaratat e fundit të zyrtarëve rusë, sipas të cilëve mbështetja ndaj Asadit “nuk është e pakufishme”, Erdogan theksoi se ”është koha që të përshpejtohet procesi i zgjidhjes së krizës siriane dhe dhënia fund së keqes”.
“Nuk ka dyshim se Siria ka armë kimike dhe tashmë është mjaft e qartë se cilët avionë kanë hedhur këto bomba. Këtë e konfirmojnë edhe raportet e radarit”, tha Erdogan.
Përdorimi i gazit nervor në sulmin me bombë në provincën Idlib u konfirmua edhe nga autopsia e trupave të viktimave që janë transportuar në Turqi.
“Pavarësisht nga fakti nëse janë përdorur armë të ndaluara kimike apo jo, në Siri janë vrarë gati një milion njerëz dhe bota duhet të veprojë për të ndaluar gjakderdhjen dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm”, deklaroi presidenti turk.