Pas deklaratave të presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, se Turqia duhet të plotësojë kushtet, në mënyrë që të përfitojnë liberalizimin e vizave, ka reaguar presidenti turk, Rexhep Tahip Erdogan, i cili ka kërcënuar me anulimin e marrëveshjes me BE – në.
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së janë përplasur për shkak të ligjit kundër terrorizmit, për të cilin Juncker ka thënë se duhet të ndryshohet.
Erdogan ka akuzuar bllokun se po vazhdon që të nxjerrë pengesa të reja për udhëtimin pa viza për qytetarët turke, duke thënë se nëse palët nuk pajtohen, atëherë Ankaraja do ta vazhdojë rrugën e saj.
Deklarata e tij vjen menjëherë pasi Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker tha se marrëveshja për liberalizimin e vizave me Turqinë nuk do të zbatohet në rast se qeveria e Ankarasë nuk do të përmbushë me sukses të gjitha kriteret e paracaktuara.
“Ne konsiderojmë se është e rëndësishme që këto kushte të plotësohen. Përndryshe, kjo marrëveshje mes BE-së dhe Turqisë nuk do të ndodhë. Nëse Erdogan vendos që t’ua mohojë turqve lëvizjen e lirë, është problem i tij, jo i imi”, ka thënë Juncker.