Site icon Telegrafi

Erdogan prezanton prototipin e veturës së parë elektrike të Turqisë

Sot Turqia prezantoi prototipin e automobilit vendas, të zhvilluar nga Grupi i Iniciativës së Automobilit të Turqisë (TOGG), raporton Anadolu Agency.

Ceremonia u realizua në Luginën e Informatikës në rrethin Gebze të provincës industriale Kocaeli, me pjesëmarrjen e shumë zyrtarëve të lartë, përfshirë presidentin Recep Tayyip Erdogan, krerët e projektit, inxhinierë, ekspertë dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij në ceremoni, Erdogan tha se Turqia sot po përjeton një ditë historike.

Lexo po ashtu Kështu do të duket dhe këto do të jenë karakteristikat e veturës së parë elektrike të Turqisë

“Sot po dëshmojmë një ditë historike për vendin tonë, realizimin e ëndrrës 60-vjeçare”, tha presidenti turk.

Duke thënë se mbi 100 inxhinierë turq kanë punuar për të realizuar projektin, ai tha se “Ne nuk blejmë licencë ose leje nga askush, por i përcaktojmë vetë të gjitha tiparet teknike”.

Erdogan theksoi se Turqia nuk do të lejojë përpjekjet për të penguar prodhimin e veturës së saj.

https://twitter.com/erdogan__reis/status/1210557813132578822

“Ata arritën të pengojnë prodhimin e Devrim (makina e parë vendase e Turqisë), por nuk do të jenë në gjendje ta pengojnë këtë automobil”, shtoi ai.

Turqia fillimisht u përpoq të prodhojë makinën e vet në vitin 1961, të quajtur Devrim, por ajo kurrë nuk kaloi fazën e prototipit.

“Turqia nuk është vetëm një treg për teknologji të reja, por është bërë një vend që zhvillon, prodhon dhe eksporton ato në të gjithë botën”, tha Erdogan.

“Automobili nuk do të ndotë mjedisin, për arsye se punon me teknologji me zero-emetime”, shtoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version