Site icon Telegrafi

Erdogan porosit: Vëzhguesit ndërkombëtarë duhet ta dinë “ku e kanë vendin”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan të hënën ka porositur vëzhguesit ndërkombëtarë, se duhet ta dinë “ku e kanë vendin”, pasi që kritikuan referendumin me të cilin i zgjerohen kompetencat.

Erdogan para pallatit presidencial në Ankara porositi përkrahësit e tij se me rezultatet e referendumit të djeshëm kanë përfunduar të gjitha debatet për ndryshimet kushtetuese, ndërsa tash do të fillojë reforma, duke nisur me drejtësinë.

Sipas rezultateve jo zyrtare, 51,4 për qind e votuesve e kanë mbështetur ndryshimin më të madh të politikës turke që nga themelimi i shtetit modern turk në shekullin e kaluar. Vëzhguesit evropianë konsiderojnë se referendumi i së dielës nuk ka përmbushur standardet demokratike evropiane, transmeton KosovaPress.

Erdogan theksoi se nuk “ka parë, as dëgjuar apo pranuar” raportimet e misionit vëzhgues të OSBE-së, dhe ka shtuar se disa shtete evropiane kanë kundërshtuar ndryshimet kushtetuese më shumë se sa opozita turke.

Exit mobile version