Telegrafi

Erdogan kërcënon Evropën për migrantët afganë: Turqia nuk është “depo e refugjatëve”

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u ka bërë thirrje vendeve të tjera evropiane që të marrin përgjegjësinë për afganët që ikin nga Talebanët, duke paralajmëruar se Turqia nuk ka asnjë detyrim të jetë “depo e refugjatëve në Evropë”.

“Evropa, e cila është bërë qendra tërheqëse për miliona njerëz, nuk mund të qëndrojë jashtë këtij problemi duke mbyllur kufijtë e saj vetëm për të mbrojtur mirëqenien e qytetarëve të saj. Me këtë qëndrim, Evropa po u kthen shpinën vlerave njerëzore”, tha Erdogan në një konferencë shtypi televizive, raporton cnn.

Ai tha se rreth gjysma e emigrantëve “të parregullt” që Turqia ka regjistruar në tre vitet e fundit janë nga Afganistani.

Turqia pret rreth pesë milionë shtetas të huaj – përfshirë 3.6 milionë sirianë dhe 300 mijë afganë, tha Erdogan.

Presidenti tha se “nëse është e nevojshme” Turqia do të jetë e hapur për takim me “qeverinë që do të formohet nga Talebanët”.

Ndryshe, rreth 500 qytetarë turq u evakuuan nga Afganistani kohët e fundit dhe rreth 300 të tjerë që janë ende të bllokuar atje do të kthehen në shtëpi së shpejti. /Telegrafi/