Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka thënë presidentit francez, Emmanuel Macron, se operacioni i ushtrisë turke brenda Sirisë me qëllim të pastrimit të “elementeve terroriste”, nuk është konceptuar për të marrë përjetësisht territorin sirian.
Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu, ka raportuar më 3 shkurt se Erdogani i ka thënë Macronit në një bisedë telefonike, se Turqia “nuk e ka syrin në territor të ndonjë shteti tjetër”.
Më 20 janar, Turqia ka nisur një operacion tokësor dhe ajror kundër anëtarëve të Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit (YPG) në rajonin Afrin të Sirisë që kontrollohet nga kurdët.
Ankaraja ka thënë se forcat e saj janë përkrahur nga Ushtria e Lirë Siriane (FSA), e cila synon ta rrëzojë nga pushteti, presidentin sirian, Bashar al-Assad.
Turqia e akuzon YPG-në, se ka lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), e cila ka zhvilluar kryengritje në juglindje të Turqisë për më shumë se 30 vjet.
Po ashtu, PPK-ja njihet edhe si grup terrorist nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Mirëpo, aleatët perëndimorë të Turqisë kanë punuar ngushtë me luftëtarët e YPG-së në betejën kundër ekstremistëve të grupit militant, Shteti Islamik, dhe nuk e konsiderojnë atë grup terrorist.
Macron ka thënë javën e kaluar në një intervistë, se Franca do të përballej me “problem real” nëse fushata turke do të rikthehej në “operacion pushtues”.
Pas deklaratave të liderit francez, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se Franca nuk ka të drejtë “të na jap mësime” në operacionin jashtë kufijve, duke cituar historinë koloniale të Francës.
Këto komente kanë ardhur në mesin e raportimeve se shtatë ushtarë turq janë vrarë më 3 shkurt në përplasjet kundër luftëtarëve kurdë në Siri.
Portali kurd i lajmeve, Rudaw, ka cituar ushtrinë turke të ketë thënë se pesë ushtarë janë vrarë gjatë një sulmi në një tanke turke. Dy të tjerë janë vrarë më herët gjatë ditës në përleshje të ndara.
Nëse konfirmohet, vdekjet do të dërgonin në 14 numrin e ushtarëve turq të vrarë gjatë operacionit në rajonin Afrin.
Në anën tjetër, Qeveria turke ka kundërshtuar një raport nga organizata “Human Rights Watch” më 3 shkurt, se rojet kufitare turke janë duke shtënë në mënyrë indirekte dhe janë duke kthyer me forcë azilkërkuesit që po tentojnë të kalojnë në Turqi.
Zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin, u ka thënë gazetarëve se ushtarët turq janë aty për të mbrojtur këta persona dhe se Ankaraja ka pasur “politikën e dyerve të hapura”, që nga fillimi i luftës civile në Siri më 2011. /REL/