Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, ka premtuar se do të vazhdojë ofensivën në Siri deri sa misioni i tij për të krijuar një “zonë të sigurt” të përfundojë.
Forcat turke nisën një operacion për spastrimin e luftëtarëve kurdë nga Siria e veriut, javën e shkuar, pasi trupat amerikane u tërhoqën nga rajoni.
Qeveria turke i konsideron milicitë kurde, si grup terrorist. Erdogan, tha ndërkohë se ai nuk do mbajë bisedime direkte me zëvendës presidentin amerikan, kur ai të mbërrijë në Turqi.
Presidenti turk tha se Mike Pence dhe sekretari i shtetit, Mike Pompeo, do të bisedojnë nesër vetëm me homologët e tij dhe jo me të.
Kur të vijë këtu Trump unë do të bisedoj me të. Zëvendëspresidenti Pence dhe sekretari i shtetit do të takohen me homologët e tyre.
Turqia nisi ofensivën në Sirinë e veriut sepse beson se milicitë dominuese në forcat demokratike siriane, janë një degësim i një grupi të ndaluar në vend. Forcat demokratike siriane bënë të ditur se kanë arritur një marrëveshje me qeverinë siriane për ndihmë, për të përballuar sulmin turk.
Por, Erdogan, iu kërkoi sot atyre që i quajti organizata terroriste në Sirinë veriore, të dorëzojnë armët në mënyrë që ti japin fund operacionit ushtarak turk.
Oferta jonë është që menjëherë, terroristët të dorëzojnë armët, pajisjet dhe gjithcka tjetër, të shkatërrojnë kurthet e tyre dhe të largohen nga zona e sigurt që ne kemi përcaktuar.
Ai po ashtu, refuzoi apelet e liderëve të huaj për të nisur negociata me grupin. Erdogan tha se Turqia nuk do të ndalë operacionet deri sa kurdët të tërhiqen dhe se vendi nuk trembet nga sanksionet.
Sipas kremlinit, Erdogan ka biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin, me këtë të fundit që ka bërë të ditur se nuk do të lejojë përleshje mes forcave turke dhe siriane. /TCH/